Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në takim me biznesin, se ekonomia është në një fazë shumë pozitive dhe ky nuk është opionon, por mendim i bazuar në krijimin e një opinioni mbi faktet.
“Nuk ka qenë ekonomia jonë asnjëherë më mirë se sot dhe nuk ka pasur asnjëherë në territorin e sipërmarrjes më shumë oportunitete dhe më shumë rezultate se sot. Këtë besoj e tregojnë të gjitha letrat tuaja dhe përveç letrave, e tregojnë dhe ato letrat e tjera që ju s’na i tregoni ne, po kjo është temë tjetër dhe këtë e tregon faktikisht dhe rritja e madhe e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si pasojë e mirë administrimit patjetër, por dhe si pasojë e rritjes së ekonomisë”, u shpreh Rama gjatë takimit me biznesin ku u paraqit reforma e inspektimeve.
“Në këto kushte ne duhet ta ndihmojmë më të njëri-tjetrin. Si ta ndihmojmë më tej njëri-tjetrin? Shteti duke bërë sa më të lehtë punën tuaj, duke garantuar sa më mirë hapësirën tuaj nga interferencat e natyrave të ndryshme, duke e siguruar sa më mirë rrugën e konkurrencës mes jush dhe ju duke qenë korrekt me ligjin dhe me shtetin sepse me kontributet tuaja, pastaj shteti bën ato gjëra që biznesi nuk i bën dot. Siguron shërbimin publik shëndetësor, siguron shërbimin publik arsimor, siguron shumë e shumë gjera të tjera, shpenzimet kapitale e kështu me radhë”, vijoi Rama.
Ai falënderoi bizneset për punën e tyre dhe kërkoi ndjesë për gjithë ato raste kur shteti nuk arrin dot të jetë dinjitoz në derën e sipërmarrjes dhe shfaqet përmes figurash që sillen në mënyrë jokorrekte.
