“Për 17 sektorët e ekonomisë janë 156 mijë të punësuar që deklarohen me pagë 50 mijë lekë të reja sepse e dimë të gjithë se kjo pagë është përjashtuar nga taksimi”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit.
“Duke i parë sektorët me radhë nuk ka asnjë logjikë që ta thotë që duhet ta gëlltisësh këtë gjë e ta pranosh kështu sepse janë paga të gënjeshtërta. Mirëpo nga kjo gënjeshtër dhe nga kjo qasje kriminale ndaj pensionistëve ne kemi një gropë shumë të madhe të cilën e kompensojmë sot që flasim duke vendosur gjysmë miliard euro për të plotësuar pensionet, sepse pa këto gjysmë miliard euro pensionet nuk mund të jepen në nivelin që janë sot”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se problemi i pensioneve nuk zgjidhet me dëshirën e mirë vetëm dhe as nuk zgjidhet me idenë hajde t’ua rrisim sot pa parë që nesër mund të çosh në humnerë të tërë bashkë. Ai tha se do të rritet bonusi i fundvitit nga 5 mijë lekë që është dhënë vitet e fundit, por për ndërhyrje të thellë në skemë duhen rritur kontributet.
“Jemi sot në kushtet kur kemi një tjetër 1/4, që është 1/4 e buxhetit që shkon për pensionet dhe na mungon kontributi i sipërmarrjes, kontributi ligjor i sipërmarrjes. Si do t’i bashkojmë ne këto të dyja që edhe i është dhënë sipërmarrjes gjithë kjo hapësirë lehtësie që nuk e ka asnjë sipërmarrje ne rajonin tonë edhe sipërmarrja vjedh pensionistët, me falni për fjalën është shumë e rëndë mund t’i vë edhe një fjalë tjetër, grabit pensionistët duke mos paguar detyrimet bazë, që edhe në ligj është i shkruar, është detyrim i parë përpara taksave”, theksoi Rama.
Po vazhdoj përsëri me punëmarrësit, vijoi Rama, nëse ne do të vazhdonim Shqipëria do të vazhdonte me taksën e sheshtë mbi pagën ne do të kishim më shumë të ardhura edhe për sigurimet shoqërore, por do merrnim më shumë nga xhepi i punëmarrësve.
“Ne e hoqëm taksën e sheshtë e bëmë taksë progresive dhe faktikisht kemi hequr dorë nga jo pak, por kemi hequr dorë nga një shumë e konsiderueshme që ia kemi lënë mësuesve infermierëve, punonjësve në të gjithë hallkat e zinxhirit ekonomik tek kamarierët, menaxherët etj”, tha Rama.
