Kryeministri Edi Rama dhe disa ministra të qeverisë kanë vijuar takimet e tyre me pensionistët, këtë herë në Fier. Ai ka folur për bonusin e fundvitit dhe tha se po mendohet për një bonus të ri që do të jetë më i lartë se ai aktuali dhe do të jetë i përhershëm.
“Të flasë një pensionist është në të drejtën e tij, por kur dëgjoj të flasin ata që i thoshin pensionistëve do t’ju japim një gjel për Vitin e Ri që ishte në fakt një gjysmagjel është për të vënë duart në kokë. Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë 5 mijë lekë të reja për çdo pensionist, jo një bonus për gjyshin dhe gjyshen bashkë. Ne po përgatitemi të bëjmë një bonus të ri që të jetë i përvitshëm dhe të jetë më i lartë se ky që është. Ky është hapi i parë dhe do të jetë i përhershëm. Është një fond që ne do ta lëmë mënjanë në çdo buxhet për pensionistët”, u shpreh kryeministri.
Ai deklaroi më tej se po bëhen projeksionet për rritje graduale të pensioneve dhe masa e tretë, lidhja me rritjen ekonomike përtej parashikimeve.
“E dyta po bëjmë dhe projeksionet për të filluar një rritje graduale të pensioneve brenda mandatit të ardhshëm. E treta jemi duke punuar dhe për një tjetër masë që do të kërkojë një kohë për ta kalibruar, që të lidhim pensionistët me rritjen ekonomike të drejtpërdrejt. Do të thotë që Shqipëria pati 3% rritje ekonomike, 4.6, 2.8, rritja ekonomike vjetore parashikohet dhe mbi bazën e atij parashikimi ndërtohet gjithë buxheti. Do kemi këto investime, do kemi të ardhura nga taksat dhe prandaj do vëmë këtë buxhet. Ne duam që çdo gjë që rritet përtej parashikimeve, në e parashikojmë 3.5, shkon 3.7, në çdo pjesë që rritet mbi parashikimin ne duam ta lidhim me pensionistët. Dhe themi këtë do e marrin pensionistët. Çfarë del mbi parashikimin. Ka disa vende që e kanë bërë dhe ne po i studiojmë. Kjo do ishte qershia mbi torkë në këtë fazë”, deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt.
“Ne duam që çdo gjë që bëjmë sot të qëndrojë aty përherë. E fundit që kam është që dy gjëra janë të rëndësishme, për mua të paktën më shumë se të tjerat për mandatin tonë të katërt. E para anëtarësimi i Shqipërisë në BE, e dyta lehtësimi sa më i madh i frymëmarrjes së pensionistëve që Shqipëria në BE të mos jetë vetëm Shqipëria e të gjithë të tjerëve që janë në moshën aktive me mundësi më të mëdha, por të jetë dhe Shqipëria ku pensionistët e fillojnë ditën më të buzëqeshur. Anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt”, tha Rama.
