Kriza e energjisë e nisur në vitin 2021, por sidomos e thelluar në vitin 2022, cilësohet si një nga rreziqet e konsiderueshme fiskale të vendit dhe ndikimi i saj negativ ka qenë në shifra të larta.
Në relacionin e buxhetit faktik, qeveria pranon se të ardhurat e munguara apo kostoja në buxhet e kësaj krize vetëm për vitin 2022 ishte 33 miliardë lekë, apo rreth 282 milionë euro. Në raport me vitin paraardhës, kjo shifër është rritur me të paktën 6 herë.
Ndërkohë qeverisë iu desh që të mbështesë sektorin me 28 miliardë lekë, nëpërmjet disa vendimeve të miratuar që i garantonin asaj hua.
“Në terma të riskut fiskal, mbështetja nga buxheti i shtetit përgjatë vitit 2022 për sektorin e energjisë ka qenë e konsiderueshme. Impakti i sektorit si kosto apo të ardhura të munguara në financat publike për vitin 2022, vlerësohet në rreth 33 miliardë LEK, nga rreth 5.5 miliardë LEK në vitin 2021, duke treguar një gjendje jo të mirë të detyrimeve.
Kështu: Për vitin 2022, KESH sh.a si pjesë e sektorit të energjisë është mbështetur nëpërmjet marrëveshjes së huasë së MFE dhe KESH sh.a datë 24.03.2022 në shumën 8 miliardë lekë si dhe përmes mbështetjes buxhetore (injeksion kapitali) në shumën 20 miliardë lek, në zbatim të tre VKM-ve respektivisht: nr.498 datë 29.07.2022, nr.603 datë 14.09.2022 dhe nr.875 datë 27.12.2022 “Për kalim fondi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për mbështetjen e sektorit të energjisë” në shumat respektive 8 miliardë lekë, 8 miliardë lekë dhe 4 miliardë lekë”.
Projektet e investimeve me financim të huaj për Sektorin e Energjisë për vitin 2022 u miratuan në nivelin 2.1 miliardë lekë sipas buxhetit fillestar të miratuar me Ligjin nr.115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, dhe nuk pësuan rishikime gjatë vitit buxhetor” thuhet në dokument.
Gjendja e detyrimeve të ndërsjellta
I njëjti raport nënvizon se situata e vështirë ka përkeqësuar edhe gjendjen e detyrimeve të prapambetura mes vetë kompanive të cilët prej kohesh tashmë kanë detyrimin e raportimit periodik për këtë gjendje debitorë.
Kështu sipas tabelës KESH ka detyrimin 33.69 miliardë lekë ndaj Ministrisë së Financave dhe Energjisë që konkretisht janë hua të garantuara.
OST ka ndaj KESH një detyrim 9 miliardë lekë dhe 1.66 miliardë ndaj OSHEE si dhe 8.66 ndaj Ministrisë së Financave. Totali 19.51.
OSHEE ndërkohë ka ndaj KESH 51.13 miliardë, ndaj OST 9.5 miliardë, ndaj Financave 2.69 miliardë dhe ndaj Tatimeve 5.19 miliardë. Total 68.51 miliardë lekë.
Ndërmarrjet e ujësjellësit kanë ndaj OSHEE 25.35 miliardë lekë dhe 10.39 miliardë lekë ndaj Financave.
Totali i borxheve të ndërsjella të sektorit të energjisë llogaritet të 163 miliardë lekë./Monitor

