Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestro mbi pasuritë e grupit të strukturuar kriminal të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, me bazë në qytetin e Elbasanit.
SPAK njofton se nga hetimet është zbuluar përdorimi i kriptovalutave nga ana organizatës kriminale, me qëllim realizimin e pagesave të ndryshme.
Sipas organit të akuzës është ekzekutuar vendimi i gjykatës janë sekuestruar kriptovaluta me vlerë mbi 10 milionë $.
“Në zbatim të vendimit të GJKKO, nr.683, datë 28.11.2024, “për caktim masë sigurimi pasuror”, si dhe urdhërit të organit proçedues, datë 06.12.2024 “për ekzekutimin e vendimit nr.683, datë 28.11.2024”, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim edhe me EUROPOL, policinë Federale të Belgjikës, atë të Hollandës, Spanjës, në periudhën 25.11.2024 e deri më datë 15.01.2025, koordinuan veprimet për të mundësuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe urdhërit të organit procedues mbi sekuestrim preventiv të aseteve/vlerave të kriptovalutave në kuleta kriptovalutash në vlerën e mbi 10 milionë $ (Dollarë Amerikan). Këto rezultate u arritën në bashkëpunim të ngushtë me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës ‘stablecoin’ si dhe një exchange të njohur në rang botëror, i cili menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash”, informon Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu është vendosur sekuestro preventive mbi:
- 2 (dy) llogari bankare në emër të hetuarit M. M., me vlerë totale 105,206.65 Euro.
- 2 (dy) llogari bankare në emër të hetuarit B. L., me vlerë totale 27,212.57 Euro.
Ndërkohë më parë është sekuestruar një shumë prej 1.000.000 Euro, si edhe pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë biznese, vila, truall dhe apartamente.
