Krimi kibernetik në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke reflektuar si zgjerimin e përdorimit të teknologjisë, ashtu edhe rritjen e raportimeve nga qytetarët. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë këtij viti janë evidentuar gjithsej 1,308 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 859 raste, ose 65.7% e totalit.
Krahasuar me një vit më parë, numri i veprave penale është rritur me 98 raste, ose 8.1%, duke konfirmuar një trend në rritje të këtij lloji kriminaliteti.
Në total janë implikuar 1,006 autorë, ku 97 persona janë arrestuar, 20 janë ndaluar, 734 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 155 janë shpallur në kërkim.
Të dhënat tregojnë zhvillime të ndryshme sipas kategorive të krimeve kibernetike. Mashtrimet kompjuterike kanë pësuar ulje me 18.9%, çka lidhet me operacionet policore dhe fushatat ndërgjegjësuese. Po ashtu, falsifikimet dhe ndërhyrjet kompjuterike janë ulur me 12.1%, falë bashkëpunimit me platforma si Meta dhe TikTok, ku Policia e Shtetit ka akses të drejtpërdrejtë për raportimin e përmbajtjeve dhe profileve false.
Ndërkohë, shqetësuese mbetet rritja me 62.2% e rasteve të p*rnografisë me të mitur. Sipas raportit, kjo lidhet edhe me rritjen e ndërgjegjësimit dhe besimit të qytetarëve për të raportuar këto raste, pas fushatave informuese për sigurinë në internet.
Megjithatë, trendi tregon se krimi kibernetik mbetet një ndër sfidat kryesore për sigurinë, veçanërisht për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe ekspozimit të përdoruesve në hapësirën digjitale.
Raporti thekson nevojën për forcimin e mëtejshëm të masave parandaluese, rritjen e ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimin me platformat ndërkombëtare për të kufizuar rreziqet që vijnë nga krimet online./ekofin.al

