Fokusi i sektorit bankar te kreditimi i biznesit është rritur dhe këtë e tregojnë edhe shifrat e fundit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ku në gjashtë-mujorin e parë të vitit kredia për biznesin u rrit mesatarisht me 12%, që përbën edhe një nga rritje më të lartë në dekadën e fundit.
Kredia për segmentin e biznesit mbetet dominuese në linjat e kredia të sektorit bankar, edhe pse bankat mes tyre kanë diferenca në raportet e kredive mes individëve dhe biznesit, kjo edhe për shkak të orientimit dhe politikave të tyre.
Bazuar në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në fund të vitit të kaluar, kredia për biznesin zinte rreth 63% të portofolit total të kredisë.
Nga 11 banka tregtare që operojnë në vend, për 9 prej tyre, kredia për biznesit është dominuese në krahasim me kredinë e segmentit retail për individët. Në këtë renditje, ProCredit Bank Shqipëri rezulton në vend të parë, si banka më e orientuar ndaj kredisë prej biznesit. Pesha e kredisë për biznesin në ProCredit zë mbi 89% të totalit të portofolit të kredisë, e cila në fund të vitit të kaluar ishte 26.8 miliardë lekë, me një rritje prej 3.7% krahasuar me një vit më parë.
Në këtë mënyrë, në fund të vitit 2024, ProCredit Bank ka alokuar afro 24 miliardë lekë kredi për bizneset, ndërsa rreth 2.8 miliardë lekë kredi janë dhënë për individët.
Në vend të dytë sa i përket përqendrimit tek kredia për biznesin është Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 81.3% të totalit të portofolit të kredisë, ndjekur nga Credins Bank, me 79.7%.
Që prej fillimeve të tij, sektori bankar ka qënë i orientuar te kredia për bizneset, më shumë sesa te individët, duke qënë kështu edhe disi më shumë i ekspozuar edhe ndaj kredive me probleme, që janë më të larta te bizneset, sesa te individët. / Ekofin.al
