Në gjysmën e parë të vitit 2025, bizneset kanë thelluar borxhin ndaj bankave, duke zgjeruar kredinë dhe pakësuar depozitat.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, hendeku midis depozitave dhe kredive arriti rreth 820 miliardë lekë, rreth 34 miliardë lekë më i madh se një vit më parë dhe i zgjeruar me 30 miliardë lekë gjatë periudhës.
Kredia e bizneseve u rrit me 10% në terma vjetorë dhe me 5% në gjashtëmujor, ndërsa depozitat u rritën me vetëm 4% në 12 muaj dhe pësuan një tkurrje të lehtë në gjysmën e parë. Pozicioni neto i bizneseve ndaj sektorit financiar mbetet i vogël dhe në ngushtim që prej viteve 2017-2023.
Rritja është mbështetur kryesisht nga kredia në valutë: në një vit, kredia në Lek u zgjerua me 5%, ndërsa ajo në valutë me 15%; në gjashtëmujor, rritja ishte 4% dhe 6% respektivisht. Ajo është shpërndarë gjerësisht në sektorë si energjia, tregtia, industria përpunuese dhe akomodimi. Struktura dominohet nga kreditë për pasuri të paluajtshme (39%) dhe kreditë-kufi (26%).
Norma e interesit për kreditë e reja në Lek qëndroi rreth 6.6% përgjatë dy viteve të fundit, ndërsa në Euro zbriti në 5.8% në gjashtëmujorin e parë 2025, nga 6.5% në 2024. Rreth 80% e kredive të reja në Lek i përkasin kredive-kufi dhe kapitalit qarkullues, ndërsa në valutë dominojnë kreditë për pasuri të paluajtshme.
Sipas bankave, kërkesa për kredi është rritur në dy tremujorët e parë, veçanërisht nga bizneset e vogla e të mesme, e orientuar te projektet e investimeve, ndërsa kërkesa për likuiditet ka qenë më e dobët. Standardet e kreditimit për SME janë lehtësuar lehtë dhe pritet të vijojnë në këtë linjë, ndërkohë që rritja e refuzimeve lidhet me historikun e kredisë, aftësinë paguese, dokumentacionin dhe cilësinë e pasqyrave financiare.


