Kushtet më të lehtësuara financiare, zgjerimi i aktivitetit ekonomik dhe i kërkesës për kredi nga agjentët ekonomikë, të shoqëruar nga gatishmëria e bankave për të financuar, kanë mbështetur thellimin e ndërmjetësimit financiar gjatë periudhës tetor – dhjetor 2024.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me norma të larta rritjeje edhe në tremujorin e katërt të vitit 2024. Zgjerimi vjetor i saj prej 15.8% ishte pranë nivelit të shënuar në tremujorin paraardhës prej 16.3%. Në raport me PBB-në, performanca pozitive e aktivitetit kreditues të bankave ka ndikuar në rritjen e mëtejshme të raportit në 31.5%, ose rreth 1.5 pikë përqindjeje më shumë se një vit më parë.
Zgjerimi i kredisë është mbështetur nga të gjitha segmentet, të cilat vijojnë të kenë norma të larta rritjeje. Megjithatë, norma e rritjes së kredisë për biznese është lehtësisht më e ulët se një tremujor më parë, në 16.1%, ndërsa ajo për individë lehtësisht më e lartë në 15.3%. Në tërësi, kredia për investime mbetet kontribuuesi kryesor i zgjerimit të aktivitetit kreditues për të gjithë vitin, pavarësisht se në tremujorin e fundit ka dhënë një kontribut disi më të pakët. Më konkretisht, kredia për investime e bizneseve është rritur mesatarisht me 22.2%.
Ndërkohë, rritja vjetore e kredisë për blerje banesash nga individët u përmirësua deri në 18%. Ndërsa, si kredia dhënë bizneseve për likuiditete (me rritje vjetore prej 7.5%) edhe ajo për konsum (me rritje vjetore prej 16.2%) kanë ruajtur të njëjtin nivel kontributdhënës si në tremujorin e tretë. Kompozimi i portofolit të kredisë sipas monedhave konfirmon peshën më të lartë të kredisë në Lek, prej 57.3%, ndaj totalit.
Gjithashtu, dinamika e kredisë tregon rritjen e kredisë në valutë prej 15.5% në tremujorin e fundit, normë kjo lehtësisht më e lartë se një tremujor më parë. Zgjerimi i shpejtë i kredisë në Euro përgjatë pjesës së dytë të vitit 2024 ka reflektuar si ecurinë në rënie të kostos së saj, kërkesën e bizneseve të mëdha dhe përdorimin e saj për financimin e investimit të projekteve të mëdha. Nga ana e pasivit të bilancit të bankave vihet re një rritje më e ngadaltë e depozitave, e cila është rikthyer pranë mesatares të rritjes vjetore të pesë viteve të fundit.
Depozitat në total të sektorit privat u rritën me rreth 8.6%, ose 1.7 pikë përqindjeje më pak se në tremujorin e tretë. Ky ngadalësim ka reflektuar nga njëra anë sasinë më të ulët të flukseve valutore të depozituara pranë bankave, si dhe efektin statistikor të rritjes së depozitave në Lek. Kështu, depozitat në valutë shënuan rritjen më të ulët të vitit me 9%, të ndikuara nga një rritje më e ngadaltë e depozitave të individëve në valutë dhe nga tërheqjet e likuiditetit të bizneseve përgjatë gjithë tremujorit.
Normat e rritjes së këtij segmenti kanë shfaqur ngadalësim të fortë për të shënuar vlerën më të ulët historike prej 2.8% vit mbi vit, në muajin dhjetor. Ndërkohë, depozitat në Lek janë rritur me rreth 37 miliardë lekë gjatë tremujorit të fundit, në linjë me sjelljen sezonale. Norma vjetore e rritjes së tyre prej 8.2%, ndonëse më e ulët se rritja e shënuar përgjatë tremujorëve të parë të vitit, vijon të jetë dukshëm më e lartë se një vit më parë.
Sipas agjentëve ekonomikë, depozitat e individëve janë rritur me norma lehtësisht më të ulëta se më parë, prej 9%. Ndërkohë që vërehet një ngadalësim i fortë te depozitat e bizneseve, të cilat shënuan rritje me 6%, nga 14% që kanë shënuar në pjesën e parë të vitit. Pavarësisht kësaj, niveli i likuiditetit të bizneseve të depozituara pranë bankave mbetet në nivele të larta, duke përbërë rreth 20.2% të totalit.
Struktura kohore e depozitave është zhvendosur drejt depozitave pa afat, të cilat përbëjnë rreth 55.7% të totalit, ose 0.2 pikë përqindjeje më shumë se një tremujor më parë. Kjo ecuri reflekton uljen e normave të kthimit nga depozitat si në Lek edhe në Euro, duke rikthyer tendencën për vendosjen e tyre në depozita shumë likuide. Ndërkohë, ecuria e depozitave deri në dy vjet ka qenë më e qëndrueshme dhe norma e rritjes së tyre prej 6% është shumë pranë mesatares së viteve të fundit. /ekofin.al
