Fermerët që nuk kanë para për të mbjellë, por kanë tokë dhe prodhim të ardhshëm, mund të përdorin tashmë vetë prodhimin bujqësor si garanci për të marrë financim.
Kjo është një nga risitë kryesore të projektligjit “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, i propozuar nga qeveria, i cili krijon për herë të parë një sistem ku produktet bujqësore të ardhshme ose ato të magazinuara përdoren si kolateral për kredi apo financime.
Projektligji synon të krijojë një mekanizëm më të shpejtë financimi për fermerët dhe depozituesit e produkteve bujqësore, duke përdorur një “dëftesë tregtare” elektronike, e cila regjistrohet në sistemin elektronik të Ministrisë së Bujqësisë dhe në regjistrin e barrëve siguruese. Në praktikë, fermeri mund të marrë financim duke vendosur si garanci prodhimin që pritet të korrë në të ardhmen ose produktet që ka tashmë të magazinuara.
Sipas projektligjit, fermeri që ka në pronësi ose përdorim tokë bujqësore dhe po kultivon apo planifikon të kultivojë produkte bujqësore, mund të aplikojë online në portalin “e-Albania” për të lëshuar dëftesën tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Financimi do të jepet kundrejt kolateralit që përfaqëson vetë prodhimi bujqësor. Interesi i financimit nuk mund të jetë më i lartë se norma mesatare efektive mujore e interesit të kredive bankare të muajit paraardhës, e publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Ligji parashikon se kolaterali kryesor do të jetë vetë produkti bujqësor i përmendur në dëftesë. Vlera e këtij kolaterali nuk mund të jetë më e vogël se detyrimi kryesor, interesat dhe kostot e tjera të financimit. Nëse produkti nuk arrin cilësinë ose sasinë e nevojshme për të shlyer borxhin, fermeri detyrohet ta zëvendësojë me një kolateral tjetër me të njëjtën vlerë dhe karakteristika.
Projektligji shkon edhe më tej në mbrojtjen e kreditorit. Në rast se fermeri nuk arrin të zëvendësojë produktin që mungon, atëherë automatikisht si kolateral konsiderohen korrjet e sezonit pasues nga e njëjta tokë bujqësore, deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Nëse edhe kjo nuk mjafton, fermeri mund të përdorë një pasuri tjetër për të përmbushur detyrimin, por vetëm me pëlqimin e kreditorit.
Monitorimi i kolateralit
Drafti parashikon gjithashtu monitorimin e kolateralit. Kreditori ka të drejtë të kontrollojë tokën, produktin, magazinat dhe procesin e kultivimit ose magazinimit, duke njoftuar fermerin të paktën 24 orë përpara. Nëse gjatë monitorimit konstatohet rrezik për cilësinë ose sasinë e produktit, kreditori mund të kërkojë korrigjimin e problemeve ose edhe përmbushjen e parakohshme të detyrimit.
Për produktet e magazinuara, projektligji krijon një skemë tjetër financimi. Fermeri ose depozituesi mund të përdorë mallin e magazinuar si garanci për kredi. Në këtë rast, magazinuesi nuk mund t’i përziejë produktet me mallra të tjera pa miratimin e depozituesit. Nëse kredia nuk shlyhet në afat, kreditori ka të drejtë që, jo më herët se 2 ditë kalendarike pas maturimit të detyrimit, të kërkojë nga përmbarimi shitjen e produkteve bujqësore të vendosura si barrë siguruese.
Paratë e përfituara nga shitja do të përdoren fillimisht për kostot e shitjes dhe pagesën e magazinuesit, më pas për shlyerjen e kreditorit. Çdo shumë e mbetur i kalon fermerit ose depozituesit të produktit. Nëse edhe pas shitjes mbetet ende borxh, kreditori mund t’i kërkojë fermerit pagesën e pjesës së papaguar brenda 30 ditëve kalendarike.
Deftesa tregtare si titull ekzekutiv
Projektligji përcakton gjithashtu se dëftesa tregtare do të jetë “titull ekzekutiv”, çka do të thotë se kreditori mund të nisë procedurat e ekzekutimit pa pasur nevojë për procese të gjata gjyqësore për të provuar detyrimin. Në rast mospagese ose mospërmbushjeje të kontratës, ekzekutimi i kolateralit do të kryhet nga përmbaruesi gjyqësor sipas ligjit për barrët siguruese.
Ligji parashikon edhe tregtimin e dëftesave. Kreditori mund t’ia shesë një pale të tretë dëftesën tregtare, pa ndryshuar detyrimet e fermerit. Ndryshimet regjistrohen automatikisht në sistemin elektronik dhe dëftesa e re gjenerohet me emrin e kreditorit të ri.
Sipas projektligjit, të gjitha procedurat do të kryhen online përmes “e-Albania”, ndërsa regjistri elektronik i dëftesave do të jetë publik dhe pa pagesë për konsultim. Të dhënat do të ruhen deri në 10 vjet.
Projektligji parashikon që një pjesë e rëndësishme e funksionimit të skemës do të detajohet me akte nënligjore nga Këshilli i Ministrave. Konkretisht, qeveria duhet të miratojë brenda 6 muajve formatet tip të dëftesave tregtare për produktet bujqësore të ardhshme dhe ato të magazinuara, si edhe formularët standardë të aplikimit dhe të tregtimit të tyre.
Po ashtu, do të përcaktohen me vendim të posaçëm mënyra e funksionimit të regjistrit elektronik, procedurat e regjistrimit dhe çregjistrimit të dëftesave, ndërveprimi me regjistrin e barrëve siguruese, si dhe rregullat teknike për përdorimin e sistemit në “e-Albania”.
Një tjetër grup aktesh nënligjore lidhet me mbrojtjen dhe administrimin e të dhënave, duke përfshirë nivelin e aksesit të institucioneve dhe masat e sigurisë për informacionin e fermerëve dhe kreditorëve. Gjithashtu, qeveria do të duhet të përcaktojë formatin elektronik për çregjistrimin e dëftesave pas shlyerjes së detyrimeve. /ekofin.al

