Çmimet në sektorin e ndërtimit vijojnë të rriten, por me ritme më të ngadalta. Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2025 arriti në 113,5, me një rritje vjetore prej 1,1 %.
Në krahasim vjetor, rritja më e lartë është regjistruar te shpenzimet për paga, të cilat u rritën me 6,2 për qind. Pas tyre vijnë kostot e tjera me 2,3 për qind, shpenzimet për makineri me 2,2 për qind dhe ato të transportit me 1,4 për qind.

Nga ana tjetër, shpenzimet për materiale kanë shënuar rënie me 0,7 për qind, ku më të theksuarat janë ato për materiale elektrike dhe komunikimi me një ulje prej 1,8 për qind, materialet e ndërtimit me 0,6 për qind dhe materialet hidro-sanitare e ventilimi me 0,4 për qind.
Në raport me tremujorin e parë të vitit 2025, indeksi i kushtimit në ndërtim është rritur me 0,4 për qind. Kontributin kryesor e kanë dhënë përsëri shpenzimet për paga, të cilat u rritën me 1,6 për qind, ndërsa makineritë dhe transporti u rritën me 0,5 për qind secili, dhe kostot e tjera me 0,3 për qind.
Ndërkohë, shpenzimet për materiale kanë shënuar një ulje të lehtë prej 0,1 për qind, ku materialet e ndërtimit dhe ato elektrike e komunikimi kanë rënë me 0,1 për qind, ndërsa materialet hidro-sanitare dhe ventilimi kanë shënuar një rritje prej 0,3 për qind./ekofin.al
