Fruta pasioni, guava, fruta dragoi apo kiwano — ndryshimet klimatike po i nxisin fermerët shqiptarë të nisin kultivimin e frutave ekzotike për shitje në Evropë.
Ferma e vogël e agronomit me përvojë Irakli Shkoza, jo larg detit në Shqipërinë qendrore, është një lloj “Kopshti i Edenit” nën diellin e Adriatikut.
Me temperaturat që rriten çdo vit, Shkoza pati idenë të diversifikonte prodhimin që në vitin 2019 — në një kohë kur të tjerë do të ishin tërhequr prej vitesh nga puna.
75-vjeçari solli farat e para nga Afrika dhe Amerika dhe i mbolli në një sipërfaqe prej dy hektarësh.
Të gjitha bimët janë përshtatur shumë mirë me klimën e ngrohtë vendase.
Midis tokave të buta bujqësore dhe detit, rajoni i Divjakës dikur ishte hambari i Shqipërisë, dhe sot fermerët atje kultivojnë perime dhe shalqi për tregun vendas dhe eksport.
Një planet që ngrohet
Por temperaturat në rritje dhe mungesa e fuqisë punëtore — Shqipëria e vogël ballkanike me 2.7 milionë banorë ka humbur 400,000 njerëz në një dekadë — kanë lënë gjurmë në bujqësi.
“Frutat ekzotike kanë nevojë për më pak ujë dhe kujdes, gjë që i ul ndjeshëm kostot e prodhimit”, thotë Shkoza.
Klima tipike mesdhetare e Shqipërisë, me verë të nxehtë dhe të thatë dhe dimra të butë, ka ndryshuar për shkak të ngrohjes globale.
Sipas një studimi të vitit 2022, deri në fund të këtij shekulli temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor pritet të rriten nga 3.5 deri në 8.8 gradë Celsius, nëse emetimet e gazeve serrë vazhdojnë në nivele mesatare ose të larta.
Valët e të nxehtit “ka të ngjarë të dëmtojnë rendimentet bujqësore, sidomos në Shqipëri, ku temperaturat mesatare janë më të lartat gjatë verës”, theksojnë studiuesit Daniel Muller dhe Max Hofmann nga Instituti Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion.
Bujqësia, pylltaria dhe peshkimi përbënin 19 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2020.
Por ndryshimi i klimës nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht katastrofik, thekson Shkoza, nëse përshtatemi për të përfituar prej tij.
Fermerët shqiptarë duhet të nisin të prodhojnë më shumë fruta ekzotike për të shfrytëzuar klimën e favorshme, thekson ai.
“Këto fruta kërkohen shumë në tregun evropian, por vijnë nga vende shumë të largëta — Amerika Latine, Azia Juglindore, Zelanda e Re, Australia.”
Transporti i tyre në Evropë ka një kosto — si financiare ashtu edhe në freski
Nëse do të vinin nga Shqipëria, jo vetëm që do të ishin më të lira, por edhe më të freskëta, argumenton agronomi Altin Hila.
Papajat që gjenden sot në tregjet evropiane mblidhen ende të gjelbra dhe më pas piqen artificialisht pas mbërritjes në Evropë, thotë Vasil Nikolovski, një menaxher prodhimi nga Maqedonia e Veriut që punon prej disa vitesh në Divjakë.
“Këtu, ato mund të piqen direkt në pemë,” shton ai.
“Shqipëria ka kapacitetin për të përmbushur kërkesën e tregut evropian dhe me eksportin e frutave ekzotike mund të gjenerojë një qarkullim vjetor prej 100 deri në 200 milionë euro.”
Prodhime të bollshme
Shkoza tashmë eksporton fruta dragoi, fruta pasioni dhe pepino — ose dardha shalqi që e kanë origjinën nga Amerika Latine — në tregjet evropiane.
Së fundmi, bashkë me fermerë të tjerë të Divjakës, ai dërgoi 30 tonë kiwano — të njohura ndryshe si kastraveci me brirë afrikan — për blerës në Kroaci.
“Dhe korrja e këtij viti duket se do të jetë shumë e bollshme,” thotë ai ndërsa vështron sythat e lulëzimit të frutave dragoi.
Rreth 55 kilometra më në perëndim, pranë Elbasanit, Lulzim Bullari ka nisur të kultivojë kivi.
“Nuk kemi pse të ankohemi për temperaturat e larta — dy vitet e fundit prodhimi i kivit ka qenë një bekim,” i tha ai AFP-së, teksa qëndronte në mes të 40 hektarëve plantacione.
Kivit që ai kultivon shkojnë pothuajse ekskluzivisht për eksport në Zvicër dhe Holandë.
Së fundmi, Bullari ka filluar edhe mbjelljen e fiqve nga Afrika e Veriut, të cilët janë shumë rezistentë ndaj klimës së butë dimërore, në rreth 15 hektarë.
“Fati u buzëqesh guximtarëve — dhe duhet të vraposh për ta kapur,” thotë Bullari./Përshtati nga France24, ekofin.al
