Tregu i pronave vitet e fundit ka njohur rritje të lartë. Shumë banesa shiten që në nisje të pallatit ose ka edhe raste kur investitori ka rënë dakord me marrëveshje paraprake me pronarët e truallit, ndaj Qeveria ka vendosur që të ndryshojë edhe rregullat për regjistrimin e këtyre lejeve dhe kontratave që firmosen paraprakisht mes palëve.
Në udhëzimin e botuar në fletoren zyrtare përcaktohet qartë, që regjistrimi i lejes do të bëhet nga Kadastra, kur akti notarial ndërmjet zhvilluesit dhe pronarit të tokës përmban të dhëna të plota, ç’ka nënkupton numër pasurie, zonë kadastrale, sipërfaqe, kufij, pozicion gjeografik për evidentimin e pasurisë, të cilat përputhen me të dhënat e pasqyruara në regjistrin kadastral. Po ashtu, duhet që të dhënat në përmbajtje të aktit për njësitë të jenë të individualizuara sipas planimetrive, të miratuara me lejen e ndërtimit.
Kur gjatë shqyrtimit të kërkesës për regjistrim rezulton, se aktet noteriale të lidhura ndërmjet investitorit dhe pronarit të truallit apo porositësve kanë mangësi, bëhet njoftimi i tyre duke iu lënë 30 ditë afat për plotësimin e dosjes. “Nëse pas kalimit të afatit këto të meta nuk plotësohen, nga ASHK-ja refuzohet regjistrimi i aktit”, theksohet në dokument.
Regjistrimi refuzohet po ashtu edhe kur në kontratën e porosisë ka devijime nga planimetria.
