Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur hetime ndaj bankave tregtare për abuzim me pozitën dominuese në shitjen e sigurimit të jetës për hua. Në njoftim, Konkurrenca thekson se hetimi erdhi pas një ankese.
Më tej, Komisioni i Konkurrencës pasi vlerësoi ekzistencën e të dhënave të mjaftueshme të cilat kërkojnë hetim të mëtejshëm të mënyrës sesi bankat e nivelit të dytë procedojnë me ndarjen e këtij produkti, shqyrtoi në mbledhjen e datës 07.11.2024 propozimin e sekretariatit të konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg.
Pas vlerësimit të raportit të paraqitur nga sekretariati i konkurrencës u vlerësua se përqindja e ndarjes së tregut të sigurimit të jetës për kredi, nuk reflekton as afërsisht pjesën e tregut në total që secila nga shoqëritë e sigurimit të jetës zotëron ç’ka mund të jetë pasojë e sjelljeve përjashtuese me karakter antikonkurrues duke bërë që klientët (kredi marrësit) mos të jenë të lirë të zgjedhin sigurimin e jetës për kredi nga shoqëri sigurimi të përzgjedhura nga vetë ata.
Sjellja e bankave në tregun e sigurimit të jetës për kredi mund të sjellë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1130, datë 07.11.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të jetës për kredi.
Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 7 Nëntor 2021 deri në 7 Nëntor 2024.
Produkti sigurim jete për hua është dominues në tregun e sigurimeve të Jetës dhe ky produkt është në fakt i lidhur me marrjen e një kredie në bankë. Sipas të dhënave të AMF, për 10 muajr e parë të vitit, primet e sigurimit të këtij produkti arritën në 1.32 miliardë Lekë, ose rreth 21% më shumë se një vit më parë. /ekofin.al
