Autoriteti i Konkurrencës është në fazën përmbyllëse të mbledhjes së të dhënave për çmimet e produkteve të shportës bazë gjatë periudhës tetor–nëntor–dhjetor, duke përfshirë të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe tregtimit.
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se procesi i grumbullimit të informacionit mbi çmimet e produkteve të shportës është drejt përfundimit dhe se në vijim do të realizohet një analizë e detajuar krahasuese, me qëllim identifikimin e çdo rritjeje të mundshme të pajustifikuar në treg.
Sipas njoftimit zyrtar, monitorimi ka përfshirë të gjitha hallkat e zinxhirit ekonomik, nga prodhuesit dhe importuesit, te distributorët, tregtarët me shumicë dhe rrjetet e shitjes me pakicë. Analiza do të fokusohet në ecurinë e çmimeve për secilin produkt të shportës, gjatë periudhës tetor–nëntor–dhjetor, një periudhë që përkon edhe me rritjen e konsumit për shkak të festave të fundvitit.
Në këtë fazë, Autoriteti do të ndërmarrë:
•Krahasimin e çmimeve ndërmjet periudhave të ndryshme kohore, për të identifikuar luhatje të pajustifikuara;
•Vlerësimin e strukturës së kostove dhe marzheve të fitimit, për të analizuar nëse rritjet e çmimeve justifikohen nga faktorë ekonomikë realë;
•Evidentimin e sjelljeve potencialisht jo konkurruese, përfshirë bashkërendimin e mundshëm të çmimeve ose marrëveshje të ndaluara ndërmjet operatorëve ekonomikë.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se analiza do të mbështetet në instrumente statistikore dhe ekonomike, duke garantuar një vlerësim objektiv dhe profesional të situatës në treg.
Në rast se nga kjo analizë konstatohet ekzistenca e rritjeve të pajustifikuara të çmimeve apo praktikave që bien ndesh me legjislacionin për mbrojtjen e konkurrencës, Autoriteti ka bërë të qartë se do të veprojë pa hezitim, përfshirë hapjen e procedurave hetimore dhe marrjen e masave ligjore ndaj subjekteve përgjegjëse.
Autoriteti i Konkurrencës riafirmon angazhimin e tij për garantimin e funksionimit të drejtë të tregut, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve, veçanërisht në periudha me ndjeshmëri të lartë për çmimet dhe fuqinë blerëse të familjeve shqiptare.
