Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar një rregullore të re për zbatimin e rregullave të konkurrencës në sektorin e transportit ajror, duke përcaktuar mënyrën se si do të vlerësohen marrëveshjet dhe format e bashkëpunimit mes kompanive ajrore, nga koordinimi i orareve dhe konsultimet mbi tarifat, deri te ndarja e sloteve në aeroporte dhe sistemet e rezervimit të biletave.
Rregullorja ka një fushë të gjerë zbatimi. Ajo përfshin marrëveshjet, vendimet e shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara që lidhen me transportin ajror brenda Shqipërisë, mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe mes Shqipërisë dhe vendeve të treta, kur këto praktika kanë ose mund të kenë ndikim mbi konkurrencën në tregun shqiptar.
Për fluturimet mes Shqipërisë dhe vendeve jashtë BE-së, zbatimi i rregullores kushtëzohet nga ekzistenca e një lidhjeje të mjaftueshme me tregun shqiptar. Kjo do të vlerësohet mbi bazën e efekteve aktuale ose të mundshme që sjellja e kompanive mund të shkaktojë mbi konkurrencën në Shqipëri.
Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës do të ushtrojë kompetencat e tij të hetimit, vlerësimit dhe zbatimit të ligjit ndaj marrëveshjeve dhe praktikave që përfshihen në fushën e rregullores. Në të njëjtën kohë, akti përcakton se nuk cenohen të drejtat dhe detyrimet e Shqipërisë që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare të transportit ajror.
Rregullorja përcakton konkretisht format e bashkëpunimit mes operatorëve ajrorë që do të jenë objekt vlerësimi nga pikëpamja e konkurrencës.
Në listë përfshihet planifikimi dhe koordinimi i përbashkët i orareve të fluturimeve. Po ashtu, do të vlerësohen konsultimet mes operatorëve për tarifat dhe kushtet e transportit të pasagjerëve, bagazheve dhe ngarkesave në shërbimet ajrore të planifikuara.
Rregullorja përfshin gjithashtu operacionet e përbashkëta në linjat e reja të planifikuara ose në shërbimet me trafik të ulët. Një tjetër fushë me rëndësi është alokimi i sloteve në aeroporte dhe planifikimi i orareve aeroportuale, të cilat duhet të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për slotet.
Në vlerësimin e konkurrencës do të përfshihet edhe bashkëpunimi mes kompanive për blerjen, zhvillimin dhe funksionimin e sistemeve të rezervimit të kompjuterizuar. Këtu bëjnë pjesë sistemet që përdoren për planifikimin e orareve, rezervimin dhe lëshimin e biletave nga kompanitë e transportit ajror.
Megjithatë, rregullorja nuk nënkupton se çdo marrëveshje ose bashkëpunim i tillë do të konsiderohet automatikisht shkelje e konkurrencës. Vlerësimi do të bëhet sipas ligjit nr. 9121 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i cili ndalon marrëveshjet kufizuese, por përcakton edhe kushtet në të cilat marrëveshje të caktuara mund të përjashtohen nga ndalimi. Rregullorja nuk cenon gjithashtu zbatimin e dispozitave që ndalojnë abuzimin me pozitën dominuese.
Për të përcaktuar nëse një marrëveshje mund të pranohet, Autoriteti do të marrë në konsideratë kufizimet dhe kushtet që ajo përmban, përfitimet ekonomike ose teknike që mund të krijojë, pjesën e drejtë të këtyre përfitimeve që u kalon përdoruesve, domosdoshmërinë e kufizimeve të vendosura dhe nëse marrëveshja krijon mundësinë e eliminimit të konkurrencës për një pjesë të konsiderueshme të produkteve ose shërbimeve përkatëse.
Në këtë mënyrë, për shembull, koordinimi mes dy kompanive ajrore mund të sjellë përfitime ekonomike apo teknike, por Autoriteti duhet të analizojë njëkohësisht nëse kufizimet që rrjedhin prej tij janë të nevojshme dhe nëse konsumatorët përfitojnë në mënyrë të drejtë nga marrëveshja.
Rregullorja e re ruan në fuqi edhe kuadrin ekzistues. Konkretisht, ajo zbatohet pa cenuar vendimin nr. 286, datë 21 maj 2013, të Komisionit të Konkurrencës për kategoritë e marrëveshjeve dhe praktikave të bashkërenduara në transportin ajror, si dhe aktet e tjera të Autoritetit që rregullojnë përjashtimin e kategorive të caktuara të marrëveshjeve në këtë sektor.
Një pjesë e veçantë e aktit lidhet me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deri në anëtarësimin e vendit në BE, marrëveshjet dhe praktikat e bashkërenduara në transportin ajror do të vlerësohen sipas ligjit shqiptar për konkurrencën, rregullores së re dhe akteve të tjera të Autoritetit.
Pas anëtarësimit, për çështjet që hyjnë në fushën e së drejtës së BE-së do të zbatohen drejtpërdrejt Rregullorja europiane nr. 1/2003 dhe Rregullorja nr. 487/2009, sipas versionit që do të jetë në fuqi në atë moment. Aktet shqiptare do të vazhdojnë të zbatohen vetëm për aq sa janë të zbatueshme dhe në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Vetë rregullorja shqiptare është hartuar në përputhje me parimet dhe strukturën e Rregullores europiane nr. 487/2009 dhe merr në konsideratë edhe akte të tjera të BE-së në fushën e konkurrencës dhe transportit ajror.
Rregullorja hyn në fuqi menjëherë, duke vendosur kështu një kuadër të përditësuar për kontrollin e marrëveshjeve dhe bashkëpunimit mes operatorëve në një treg që vitet e fundit ka njohur zgjerim të fortë të trafikut ajror dhe të numrit të linjave që lidhin Shqipërinë me tregjet ndërkombëtare. /ekofin.al

