Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba paraqiti sot në Kuvend raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2022.
Në fjalën e tij, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Biba u ndal në hapat e ndërmarra nga institucioni për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, por dhe plotësimin e rekomandimeve të lëna në rezolutën e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së AK për vitin 2021.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Biba informoi se, gjatë vitit 2022 janë marrë 99 vendime nga Komisioni i Konkurrencës, çka përbën jo vetëm një rekord përgjatë 17 viteve të jetës së AK, por tregon dhe punën e vazhdueshme të Autoritetit të Konkurrencës.
“Po ashtu gjatë këtij viti tha ai, janë kryer 15 monitorime në tregjet sensitive dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit, si dhe janë realizuar 11 procedura hetimore, përkatësisht: në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë; në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare; në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore; në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të vajit vegjetal; në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike; në tregun ku operojnë subjektet financiare jo banka; në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Tirana International Airport; në tregun e ofrimit të shërbimit të instrumenteve matëse nëpërmjet instrumenteve shpërndarëse të karburanteve dhe gazit të lëngshëm; në tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos; në tregun e prodhimit të betonit në qarkun Tiranë, Durrës Elbasan; në tregun e prodhimit, transmetimit dhe shitjes në mënyrë digjitale të produkteve audio dhe video, tek operatorët kabllor (ripërsëritësit e programeve mbështetur në rrjet kabllor)”, u shpreh Biba.
Biba theksoi se, pavarësisht se Autoriteti i Konkurrencës ka si parim të aktivitetit të tij, edukimin dhe jo vendosjen e gjobave për subjektet nën hetim, vlen të theksohet se, në përfundim të procedurave hetimore në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të plehrave kimike, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Tirana International Airport, si dhe në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, Autoriteti i Konkurrences ka vendosur 4 gjoba për shkelje të rënda të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, në vlerën totale 224,225,947 lekë.
