Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të gjobisë me 3 milionë lekë të reja kompaninë AIR BP Albania, e cila furnizon me karburant avionët në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Shkak për masën administrative, këtë herë, nuk është bërë as pozita dominuese e saj, as cënimi i konkurrencës së lirë në treg, por mosdeklarimi në mënyrë të saktë i datës së lidhjes së marrëveshjes.
AK njofton se Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 28.07.2023, mori në shqyrtim rastin për vendosje gjobe ndaj shoqërisë AIR BP ALBANIA SHA për deklarim të të dhënave të paplota dhe të pasakta. Në kuptim të nenit 55 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe Rregullores “Për zbatimin e procedurave të përqendrimit të ndërmarrjeve”, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar dhe vlerësuar dokumentacionin e dosjes së depozituar nga shoqëria AIR BP ALBANIA SHA nga ku u konstatua se kjo shoqëri nuk ka deklaruar në mënyrë të saktë datën e lidhjes së marrëveshjes.
Nga dokumentacioni i depozituar vlerësohet shkelja e shoqërisë AIR BP ALBANIA SHA është e natyrës administrative, pasi deklarimi i të dhënave të pasakta në zbatim të nenit 55, përbën shkelje të lehtë të ligjit nr. 9121/2003 dhe në zbatim të nenit 73, pika 1 germa b) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës vendos gjobë në masën jo më shumë se 1% të xhiros totale të vitit paraardhës financiar, mbi ndërmarrjet apo grupimet e ndërmarrjeve nëse japin të dhëna të pasakta, të paplota ose të rreme në njoftimet, sipas neneve 12 e 49 të këtij ligji, ose të dhëna dhe dokumente plotësuese të pasakta e të paplota, sipas nenit 55 të këtij ligji.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 1005, datë 28.07.2023 vendosi për depozitim të të dhënave të paplota dhe të pasakta në kuptim të nenit 55 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të gjobisë shoqërinë AIR BP ALBANIA SHA në masën 3,000,000 lekë (tremilion) lekë, theksohet në njoftimin e Konkurrencës. /ekofin.al

