Projektligji i ri për konçensionet dhe partneritetin publik privat synon të krijojë një kuadër të favorshëm dhe të qëndrueshëm për nxitjen dhe krijimin e lehtësive për investimet që realizohen si koncesione/partneritete publike private.
Në këtë kuadër ligji parashikon rregulla më të detajuara për nënkontraktimin, duke nisur nga përcaktimi i përqindjes së nënkontraktimit, rregullat që duhet t’u përmbahen nënkontraktuesit dhe mënyra e kryerjes së pagesave.
Ligji i shfuqizuar parashikonte vetëm se autoriteti kontraktues (AK) mund t’i kërkonte koncesionarit të jepte kontrata që janë minimalisht 30 për qind e vlerës totale të kontratës së koncesionit te palët e treta, duke siguruar, në të njëjtën kohë, një mundësi për tenderuesit që ta rrisin këtë përqindje, ndërkohë që kjo përqindje minimale specifikohet në kontratën e koncesionit. Po kështu AK kishte të drejtë kërkojë nga tenderuesit që të tregojnë në ofertat e tyre përqindjen e vlerës totale të kontratës që ata planifikojnë t’u caktojnë palëve të treta.
Kjo sepse, për nënkontraktimin e partneriteteve publike private, që realizoheshin si kontrata të punëve publike ose të shërbimit publik, zbatoheshin dispozitat përkatëse të ligjit të prokurimit publik, në përputhje me rrethanat.
Me ligjin e ri autoriteti ose enti kontraktues në dokumentet e tenderit mund t’u kërkojë ofertuesve të tregojnë në ofertat e tyre përqindjen e kontratës, që ata mendojnë të nënkontraktojnë te palët e treta, si dhe nënkontraktorin e propozuar. Kjo përqindje e caktuar për nënkontraktim duhet të jetë në përpjesëtim me vlerën e kontratës dhe nuk duhet të tejkalojë 50 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës.
Autoriteti ose enti kontraktues miraton nënkontraktorët e mundshëm përpara lidhjes së nënkontratës me operatorin ekonomik fitues të kontratës publike, në përputhje me dispozitat e ligjit të ri.
Sipas dokumentit, dispozitat nuk prekin përgjegjësitë kryesore të operatorit ekonomik ndaj autoritetit ose entit kontraktues, për të cilin nënkontraktorët mbeten palë e tretë, kundrejt marrëdhënies kontraktuale ndërmjet operatorit ekonomik dhe nënkontraktorëve të tij dhe duke e lënë operatorin ekonomik kryesor përgjegjës për zbatimin e të gjithë kontratës, pavarësisht se një pjesë e saj zbatohet nga nënkontraktorët.
Autoriteti ose enti kontraktues lejohet të bëjë pagesa drejtpërsëdrejti te nënkontraktori për furnizimet, shërbimet ose punët që i ka ofruar kontraktorit kryesor. Në çdo rast, kontraktori kryesor duhet të vihet në dijeni dhe të japë miratimin me shkrim për këto pagesa. Rregullat që lidhen me këtë mënyrë pagese përcaktohen në dokumentet e tenderit.
Gjithashtu, ligji specifikon se në rastin e koncesioneve për punë, sa u përket shërbimeve që do të ofrohen në objekt nën mbikëqyrjen e autoritetit ose entit kontraktues, pas dhënies së koncesionit dhe jo më vonë se momenti i fillimit të zbatimit të tij, autoriteti ose enti kontraktues do t’i kërkojë koncesionarit që të bëjë të ditur emrin, të dhënat e kontaktit dhe përfaqësuesit ligjor të nënkontraktorëve të tij, të përfshirë në këto punë dhe shërbime, për aq sa ky informacion është i disponueshëm në atë moment.
Gjithashtu, koncesionari është i detyruar të njoftojë autoritetin ose entin kontraktues për çdo ndryshim në këtë informacion gjatë gjithë periudhës së koncesionit, si dhe për çdo nënkontraktor të ri që mund të përfshijë më vonë në këto punë ose shërbime.
Pavarësisht nga paragrafi i mësipërm, autoritetet ose entet kontraktuese mund të vendosin si detyrim që informacioni i kërkuar t’u dërgohet drejtpërdrejt nga koncesionari. Këto rregulla nuk zbatohen për furnizuesit.
Autoritetet ose entet kontraktuese mund të zgjerojnë këto detyrime, për shembull: për koncesionet e shërbimeve që nuk lidhen me shërbimet e ofruara në objektet nën mbikëqyrjen e autoritetit ose entit kontraktues apo me furnizuesit e përfshirë në koncesionet e punëve dhe shërbimeve; për nënkontraktorët e nënkontraktorëve të koncesionarit ose për hallkat e mëtejshme në zinxhirin e nënkontraktimit.
Me qëllim shmangien e shkeljeve të detyrimeve të përcaktuara me ligj, nëse legjislacioni kombëtar parashikon një mekanizëm përgjegjësie të përbashkët mes koncesionarit dhe nënkontraktorëve të tij, Autoriteti apo enti kontraktues duhet të sigurohet që këto rregulla të zbatohen. Kjo do të thotë operatorët ekonomikë të respektojnë detyrimet që zbatohen në fushat e së drejtës mjedisore, sociale dhe të punës, të përcaktuara nga e drejta e Bashkimit Evropian etj.,
Gjithashtu, ligji parashikon zëvendësimin e nënkontraktuesit pa u cenuar procedura. Kështu, nëse autoritetet ose entet kontraktuese mund të verifikojnë nëse ekzistojnë arsye për përjashtimin e nënkontraktorëve, pra verifikimi i përmbushjes së kapaciteteve teknike dhe financiare dhe rezulton se ka arsye të detyrueshme për përjashtim, AK i kërkon operatorit ekonomik ta përjashtojë nënkontraktorin përkatës.
Nëse verifikimi tregon arsye jo të detyrueshme për përjashtim, autoriteti ose enti kontraktues mund të kërkojë që operatori ekonomik ta zëvendësojë atë.
Rregulla më të hollësishme për nënkontraktimin do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave./ekofin.al
