Pse Ministria e Financave do të vazhdojë dhe do të paguajë për kontrata që nuk kryhet shërbimi? Është një nga pyetjet që u ngrit në Komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2022.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit thoshte që të paktën për 5 kontrata koncesionare, 4 prej të cilave ishin në shëndetësi, ne jemi duke paguar pa u kryer shërbimi. Pse Ministria e Financave do të vazhdojë dhe do të paguajë për kontrata që nuk kryhet shërbimi. Pagesat për kontratat koncesionare rriten me 30% krahasuar me vitin e kaluar. Kontratat koncesionare të përmendura në raportin e KLSH, Check up, sterilizimi, kontrata të tjera të cilat u konsideruan si me shkelje, këtu nuk kemi asnjë marrje mase, por vazhdojmë me pagesën.
Këtu shfaqet për mua shërbimi i infrastrukturës të çelësave publikë që kanë lidhje me procesin e fiskalizimit, kemi paguar një kontratë koncesionare për procesin e fiskalizimit, dhe këtu kemi një pagesë tjetër 1.5 milion euro e cila është pjesë e një procesi që ka përfunduar, këtu është pagesë vetëm për çelësat”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi se pagesa për kontratat konecesionare është brenda limitit të parashikuar në ligjit organik të buxhetit, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet një ulje e pagesës.
“Sa i përket kontratave koncesionare ne jemi totalisht brenda çdo limiti të lejuar të ligjit organik te buxhetit, i cili parashikon një limit të pagesave të kontratave koncesionare deri në 5% të të ardhurave tatimore të mbledhura. Ne jemi transparentë, janë 13 kontrata koncesionare, të cilat janë me financimin e shtetit. Dhe për vitin 2022 është parashikuar një ulje e pagesës së kontratave koncesionare. Nuk duhet të ngatërrojmë investimet që bën qeveria shqiptare me kontratat koncesionare. Projekti i Fiskalizimit nuk ka qenë asnjëherë pas PPP dhe as koncesion. Është një investim i shtetit shqiptar në dixhitalizimin dhe rritjen e eficiencës së administratës tatimore.”