Projektligji që parashikon shtyrjen me dy vjet të kontratës së koncesionit të pullave fiskale dhe uljen 10% të tarifës ka zbritur këtë të enjte në seancë plenare.
Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj përmes kësaj marrëveshjeje të arritur me “SICPA Security Solutions” S.A. e “SICPA Security Solutions Albania” sh.p.k, po tentohet t’i rikthehen qeverisë ato kontrata që janë nënshkruar nga opozita kur ishte në pushtet në mënyrë korruptive, në dëm të popullit.
“Ju flisni e akuzoni vetveten, pasi thoni se nuk duhet të lejohen kontrata korruptive. Ne po tentojmë t’ia rikthejmë qeverisë ato kontrata që keni nënshkruar në mënyrë korruptive në dëm të popullit”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, pikërisht kjo kontratë synon të evitojë qindra miliona euro arbitrazhesh.
“Synojmë të reduktojmë monopolet në buxhetin e shtetit dhe të rikthejmë shërbimet për popullin”, deklaroi ministrja.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku replikoi me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mbi shtyrjen e kontratës koncesionare për pullat fiskale.
Në fjalën e saj në Kuvend, Tabaku ngriti disa pyetje rreth kësaj kontrate.
“Zonja ministre, pse kontrata koncesionare e pullave fiskale e cila konsiderohej korruptive deri pak vite më parë, tani po vazhdon? Pse kur ishit para 2013 e akuzonit si kontratë korruptive. Pse shtyhet me 2 vite kontrata e koncesionit të pullave fiskale? Korrupsioni është blu apo mavi. Sot përveç këtyre temave duhet të japësh përgjigje dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Nëse ka një person që tallet me seancat plenare dhe duhet t’i vijë turp, ky jeni ju. Shpresoj që në këtë moment të tërheqësh edhe ofendimet që bëre për deputetë të opozitës kur nisi kjo seancë”, tha Tabaku.
Po ashtu Tabaku tha se korrupsioni ka kapur shtetin.
“Korrupsioni që blen zyrtarin e FBI-së, korrupsioni që blen punonjësen e koncesioneve të tatimeve, korrupsioni te inceneratorët, korrupsioni që vjen në parlament që detyron deputetë që të votojnë kontrata për të shtyrë afatin për dy vjet, kontrata që i kanë akuzuara si korruptive. Sot korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë, prandaj nuk funksionon ky Parlament. Unë jam e sigurtë se dhe ata që i bien bilbilave sot do kishin dashur këto fjalë, por që të flasësh për korrupsionin kërkon shumë guxim. Unë besoj që kërkon guxim t’i vësh emrin atyre që vjedhin sot Shqipërinë, kërkon guxim sot që të flasësh dhe të thuash se korrupsioni nuk njeh ngjyrë, nuk njeh pushtet e kur vjen në këtë Parlament jeni të gjithë të përlyer”, tha ajo.
Shtyrja e kontratës u arrit në mirëkuptim me kompaninë koncesionare, me qëllim evitimin e arbitrazhit, për shkak të mosrealizimit të pikës së kontratës për vendosjen e pullave fiskale të farmaceutikës.