Statistikat zyrtare tregojnë se deri në vitin 2024 kishin mbetur rreth 230 mijë ndërtime të palegalizuara. Qeveria vendosi të ndryshojë rregullat, duke iu dhënë prioritet shtëpive dhe atyre objekteve me funksion të përzier, që do të thotë që shërbejnë për qëllime strehimi dhe biznesi.
Sipas raportit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, në zbatim të VKM-së nr. 383 datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, që prej fillimit të procesit janë miratuar 86 VKM në bazë të së cilave miratohen listat e subjekteve përfituese dhe pasurive përkatëse.
Pranë ATP-së janë administruar kërkesat e 13,760 subjekteve për përfitim të kompensimit, nga të cilat 9,713 janë subjekte përfituese, pra 70.6% të totalit.
Përgjatë vitit 2024 janë miratuar 7 VKM dhe janë paraqitur 1039 aplikime nga subjektet.
Agjencia e Trajtimit të Pronave në 2024 kreu ekzekutimin e këstit të fundit në masën 30% për 5320 dosje, vlera e të cilave shkon në mbi 3 miliardë lekë. Po gjatë këtij viti u ekzekutuan 636 aplikime në masën 70% me vlerë 952 milionë lekë.

Trajtimi i kërkesave për njohje pronësie
ATP ka regjistruar në total 16 462 kërkesa të depozituara me ligjet e mëparshme dhe kërkesa të reja sipas ligjit 133/2015. Pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022, afati i përcaktuar në nenin 34 pika 1 ka ndryshuar. Neni i cili më parë parashikonte se nëse ATP nuk përmbushte detyrimin për të trajtuar kërkesat në afatin 3-vjeçar, subjektet mund të drejtoheshin gjykatës së shkallës së parë për trajtimin e tyre, u ndryshua duke vendosur një afat trajtimi brenda datës 31.12.2024.
Në këto kushte, ATP-ja vazhdon të trajtojë dosjet dhe kërkesat e subjekteve, përfshirë ato të patërhequra, të tërhequra dhe ato që i janë drejtuar gjykatës, në përputhje me dispozitat e nenit 34, pika 2 të ligjit 133/2015, i ndryshuar.
Nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore, ATP ka dhënë 293 vendime për njohje pronësie. Për periudhën janar – dhjetor 2024, rezulton se janë dhënë 230 vendime për njohje pronësie, ku kryeson qarku i Vlorës me 60 vendime, i ndjekur nga Durrësi me 50 vendime dhe Fieri me 41 vendime. /ekofin.al
