Pas blogersave dhe influencersave të rrjeteve sociale, si edhe qiradhënësve që përdorin platformat Booking dhe Airbnb, tatimet kanë vënë në fokus kompanitë ndërkombëtare që veprojnë në platforma digjitale në vendin tonë dhe që duhet të paguajnë taksa këtu.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi bën me dije se ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese për kompanitë ndërkombëtare që operojnë platforma digjitale online në Shqipëri dhe kanë detyrimin për t’u regjistruar dhe paguar taksa & tatime në vendin tonë.
Në njoftim thuhet se ka nisur komunikimi me katër shoqëritë më të mëdha ndërkombëtare në fushën e konsulencës dhe shërbimeve financiare me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore.
Kjo fushatë e nisur do të vijojë edhe me kompani të tjera ndërkombëtare që operojnë në ekonominë digjitale thuhet në njoftim./ekofin.al
