Në drejtimin e kryetarit, Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e tij të radhës on line mori në shqyrtim katër projektligje, njëri prej të cilëve nismë e deputetit Bujar Leskaj. Fillimisht u shqyrtua në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Qëndrueshmëria ndaj klimës dhe zhvillimit të bujqësisë””, i cili u prezantua nga Arjan Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndër të tjera Jaupllari sqaroi thelbin e marrëveshjes dhe 4 komponentët kryesorë të projektit, i cili do të financohet me hua nga BERZH, duke theksuar se kjo nismë ligjore synon realizimin e disa objektivave madhore për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rural në vend.
Deputetja Milva Ekonomi, në cilësinë e relatores, vlerësoi rëndësinë e projekligjit dhe zbatimit të projektit, i cili do të kontribuojë në zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të standardeve për sektorin e bujqësisë. Pas pyetjeve dhe diksutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””, i cili u prezantua nga Megi Fino, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe u relatua nga deputetja Enslemvera Zake. Në parashtrimin e saj zëvendësministrja e MEPJ-së u ndal në qëllimin dhe nevojën e sjelljes së ndryshimeve ligjore, të cilat vijnë dhe si detyrime për përmbushjen e rekomandimeve të Komitetit MONEYVAL, në kuadër të Raundit të Pestë të Vlerësimit të Përbashkët për Shqipërinë.
“Qëllimi i këtij projektligji është qartësimi i procedurave që do të ndiqen nga subjektet zbatuese të ligjit sa i përket bllokimit të përkohshëm, në kuadër të vendosjes dhe zbatimit të masave shtrënguese ndërkombëtare, të marra në funksion të ruajtjes së paqes e të sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe arritjes së objektivave të tjerë të sigurisë së përbashkët, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë”, u shpreh Fino.
Veç të tjerash, relatorja e çështjes, Zake theksoi rëndësinë e ndryshimeve ligjore për zbatimi i rekomandimit 7 të FATF-së, i cili është një rekomandim i ri që synon sigurimin e zbatimit të qëndrueshëm dhe efektiv të sanksioneve financiare, kur këto kërkohen nga Këshilli i Sigurimit të OKB. Ndër të tjera Zake bëri të ditur se komisioni për Sigurinë Kombëtare ka propozuar riformulimin e disa neneve të caktuara dhe u sugjeroi kolegëve ta miratojnë projekligjin, duke marrë në konsideratë edhe amendimet e bëra. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Në vijim, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, u shqyrtua projektligji “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë”, nismë e deputetit Bujar Leskaj. Nisma ishte shqyrtuar më herët nga komisioni dhe pas diskutimeve projektligji u rrëzua parimisht me shumicë votash.
Së fundmi mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin, në cilësinë e komisionit përgjegjës, të projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.
