Draftraporti i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat mbi kontrollin post-legjislativ për zbatimin e Ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i kushton vëmendje fenomenit të kontrabandës dhe evazionit fiskal në tregun e produkteve të akcizës, veçanërisht të duhanit.
Dokumenti, i siguruar nga ekofin.al, tregon se gjatë periudhës 2012-2025 janë marrë gjithsej 147 vendime administrative që lidhen me shkelje në këtë fushë, nga të cilat 9 për kundërvajtje, 38 për kontrabandë dhe 100 raste të tregtimit të duhanit pa pullë fiskale. Të dhënat tregojnë se numri i rasteve të reja ka pasur një tendencë në rënie përgjatë viteve të fundit.
Megjithatë, raporti vlerëson se impakti fiskal i rasteve të konstatuara mbetet relativisht modest në raport me të ardhurat totale nga akciza. Detyrimet e papaguara arrijnë në rreth 27 milionë lekë, ndërsa penalitetet në 103.5 milionë lekë. Në total, kjo shumë përfaqëson vetëm 0.012% të të ardhurave nga akciza për periudhën në fjalë, të cilat arrijnë në 226.3 miliardë lekë. Krahas këtyre shifrave, autoritetet kanë kryer edhe sekuestrime të konsiderueshme gjatë viteve, përfshirë mbi 60 milionë fije cigare. Një nga rastet më të mëdha është regjistruar në vitin 2015, kur u sekuestruan 47 tonë cigare.
Raporti evidenton gjithashtu se metodat e kontrabandës kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve. Në fazat e para të zbatimit të ligjit dominonte tregtimi informal i duhanit të grirë, ndërsa në vitet e fundit është vërejtur një zhvendosje drejt kontrabandës së organizuar ndërkombëtare, ku përdoren kontenierë, kamionë dhe anije për transportin e mallrave të paligjshme. Nga ana tjetër, shkalla e ankimimit të vendimeve administrative rezulton shumë e ulët. Vetëm 4.8% e vendimeve janë ankimuar, ndërsa në 85.7% të rasteve ankesat janë mbajtur në fuqi, çka sipas raportit sugjeron një nivel të lartë cilësie në vendimmarrjen administrative të institucioneve përgjegjëse.
Megjithatë, draftraporti ngre shqetësime për mungesën e transparencës në lidhje me ecurinë e procedimeve penale për kontrabandën. Sipas dokumentit, nuk disponohet informacion i detajuar mbi numrin e çështjeve që kanë përfunduar në gjykatë, numrin e dënimeve apo masat konkrete të aplikuara ndaj personave të përfshirë.
Në këtë kuadër, raporti propozon një sërë masash për përmirësimin e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Në afatshkurtër, për periudhën 2026-2027, rekomandohet rishikimi i Kodit Penal për të rritur dënimet me burgim për kontrabandën në mënyrë që të krijohet një efekt më i fortë dekurajues, si dhe konfiskimi i plotë i mjeteve dhe pronave të përdorura dhe ndalimi i përhershëm i operimit në sektor për subjektet e përfshira.
Gjithashtu kërkohet përmirësimi i transparencës për proceset penale përmes ndjekjes së vazhdueshme të çështjeve dhe informimit të rregullt nga Prokuroria dhe gjykatat mbi ecurinë dhe rezultatet e tyre. Një tjetër rekomandim është përfundimi i integrimit të plotë të sistemit digjital “track and trace”, i cili synon të mundësojë gjurmimin e çdo pakete duhani nga prodhimi deri te konsumatori përfundimtar.
Ndërkohë, në afatmesëm, për periudhën 2027-2030, raporti sugjeron forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes marrëveshjeve bilaterale dhe shumëpalëshe me vendet fqinje dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër kontrabandës. Njëkohësisht rekomandohet edhe realizimi i një studimi të thelluar që të analizojë lidhjen mes rritjes së akcizës dhe fenomenit të kontrabandës, duke marrë në konsideratë edhe nivelet e taksimit të produkteve të duhanit në vendet fqinje./ekofin.al
