Komisioni Evropian parashikon një ngadalësim të ekonomisë së Shqipërisë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Në raportin e pranverës, KE vëren se “pas një vrulli të fortë rritjeje në vitet e mëparshme, ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.6% në 2025 dhe 3.5% në 2026, mbështetur nga kërkesa e brendshme.” Sipas projeksioneve të KE-së, rritja do të mbështetet nga turizmi, eksportet e shërbimeve pritet të vijojnë zgjerimin, ndërkohë që eksportet e mallrave pritet të rimëkëmben disi pas dy viteve tkurrje të konsiderueshme. Pas një rënie të shpejtë në 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% vitin e ardhshëm. Deficiti fiskal pritet të zgjerohet para se të bjerë nën 2% të PBB-së në 2026. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet gradualisht, e nxitur nga rritja nominale e PBB-së.
Aktiviteti ekonomik të mbetet i fuqishëm
Rritja ekonomike e Shqipërisë mbeti e fortë në 4% në vitin 2024, e nxitur nga kërkesa e fuqishme e brendshme, performanca e mirë e turizmit dhe rritja e qëndrueshme e ndërtimit. Rritja e konsumit në familje u mbështet nga rritja reale e pagave, ngadalësimi i inflacionit dhe përshpejtimi i rritjes së kredisë. Krijimi i vendeve të punës në shërbime mbështeti rritjen e punësimit. Eksportet e shërbimeve u zgjeruan, por eksportet e mallrave ranë në mënyrë të konsiderueshme për shkak të mjedisit të jashtëm të pafavorshëm dhe mbiçmimit të lekut. Ngjashëm me vitin 2023, shumica e sektorëve ekonomikë shënuan rritje pozitive të prodhimit, por bujqësia dhe industria u tkurrën.
Në 2025-2026 rritja e PBB-së parashikohet të jetë e moderuar në krahasim me vitet e mëparshme, por mbetet e fortë në 3.6% dhe 3.5% respektivisht. Rritja e konsumit publik parashikohet të ngadalësohet, pasi impakti i reformës së pagave në sektorin publik pritet të zbehet, ndërsa konsumi privat, i mbështetur nga rritja e pagave reale dhe përmirësimet në tregun e punës, pritet të mbetet në nivel të qëndrueshëm.
Komisioni Evropian vëren në raport se parashikimet pozitive për rritje ekonomike mund të vihen në dyshim nga risqet e lidhura me ndryshimet në kursin e këmbimit dhe normat e interesit dhe mungesa në rritje e fuqisë punëtore të kualifikuar, si pasojë e emigracionit. Si një ekonomi e vogël e hapur, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme që lidhen me ndikimin ekonomik të tarifave në pjesën kryesore të partnerëve tregtarë në BE, si Italia. Për më tepër, pasiguria globale dhe rreziqet gjeopolitike mund të ndikojnë edhe në investimet e huaja direkte.
Rritja e punësimit do të moderohet
Punësimi u rrit në vitin 2024 dhe pritet të rritet më tej gjatë viteve 2025-2026, megjithëse me një ritëm të moderuar. Një shkallë më e lartë e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore pritet të jetë nxitësi kryesor i punësimit, ndërkohë që emigracioni i vazhdueshëm ka të ngjarë të përbëjë një kufizim. Shkalla e papunësisë pritet të mbetet e qëndrueshme, ndërkohë që pagat vijojnë të rriten.
Inflacioni do t’i kthehet rritjes në 2025
Inflacioni ra nga 3.4% në janar 2024 në 2.1% në dhjetor. Kjo solli një normë mesatare vjetore të inflacionit prej 2.2%, në rënie nga 4.8% një vit më parë. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga çmimet më të ulëta të ushqimeve dhe naftës, krahas mbiçmimit të qëndrueshëm të lekut. Inflacioni total, pa përfshirë ushqimin dhe energjinë, ra gjithashtu në vitin 2024. Në reagim, Banka e Shqipërisë zbatoi dy ulje të normës së interesit në vitin 2024, duke e ulur atë nga 3.25% në 2.75%. Inflacioni mesatar vjetor parashikohet të rritet në vitin 2025, i mbështetur nga inflacioni më i lartë i importuar dhe do të arrijë objektivin e bankës qendrore prej 3% në vitin 2026.
Deficiti fiskal pritet të zgjerohet përpara se të ngushtohet në vitin 2026
Në vitin 2024, deficiti buxhetor u ngushtua në 0.7% të PBB-së, e cila ishte më e ulët se objektivi buxhetor prej 2.3%. Ndërsa të ardhurat performuan mirë, ky rezultat fiskal ishte pjesërisht për shkak të mosrealizimit të investimeve publike. Deficiti buxhetor pritet të zgjerohet në 2.4% të PBB-së 2025, si pasojë e shpenzimeve më të larta. Një raport më i ulët i shpenzimeve ndaj PBB-së parashikohet të ndihmojë në uljen e deficiti buxhetor në 1.9% të PBB-së në vitin 2026. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra nën 55% në 2024, mbështetur nga një bilanc primar pozitiv, rritja nominale e PBB-së dhe mbiçmimi i kursi i këmbimit. Raporti i borxhit parashikohet të bjerë në 2025-2026 me një ritëm më të moderuar, nxitur nga rritja nominale e PBB-së, vëren në raport Komisioni Evropian. /ekofin.al

