Projektkodi i ri penal, i cili është aktualisht në fazë diskutimi dhe nuk është miratuar ende, ka shkaktuar reagime të forta në radhët e avokatëve, të cilët e konsiderojnë atë një rrezik për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit të tyre.
Në qendër të debatit, midis të tjerave, janë veçanërisht nenet 537, 538 dhe 539, të cilat synojnë të rregullojnë më rreptësisht mënyrën e ofrimit të shërbimeve nga avokatët dhe profesionistët ligjorë.
Neni 537, “Tarifat e papërshtatshme të shërbimit”, parashikon ndëshkime me gjobë ose burgim deri në tre vjet për përcaktimin e tarifave që konsiderohen në mënyrë të dukshme të tepruara në raport me vlerën e punës së kryer. Për më tepër, parashikohet edhe sanksioni plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike deri në pesë vjet.
Sipas avokatëve, ky nen jep një pushtet të panevojshëm për të ndërhyrë në marrëdhënien kontraktuale mes avokatit dhe klientit, duke rrezikuar thelbësisht pavarësinë e profesionit.
Neni 538, që trajton “Konfliktin e interesit nga avokati”, dënon dhënien e shërbimeve juridike për të dyja palët në një çështje të vetme, si dhe bashkëpunimin e fshehtë të avokatëve me palën kundërshtare në dëm të klientit të tyre. Sanksionet përfshijnë gjobë, burgim deri në katër vjet dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit. Sipas kritikëve, megjithëse synimi është legjitim, formulimi i neneve është tepër i përgjithshëm dhe mund të çojë në interpretime të rrezikshme.
Ndërkohë, neni 539, që prek “Mosparaqitjen në seancë gjyqësore”, parashikon ndëshkime për avokatët, prokurorët apo gjyqtarët që nuk paraqiten pa arsye të justifikuar në seanca, kur kjo sjell zvarritje të gjykimit. Edhe këtu, avokatët shprehen se është një ndërhyrje disproporcionale, që nuk merr parasysh kushtet konkrete të ushtrimit të profesionit.
Dhoma e Avokatisë dhe juristë të pavarur kanë kërkuar rishikimin e këtyre dispozitave, duke theksuar se ato krijojnë një klimë frike dhe presioni ndaj avokatëve, të cilët janë një hallkë e rëndësishme e drejtësisë.
Neni 537
Tarifat e papërshtatshme të shërbimit
Përcaktimi i papërshtatshëm i tarifave ose shpërblimeve për kryerjen e detyrave nga nëpunësit publikë, avokatët, këshilltarët ose personat e tjerë që ofrojnë sipas profesionit të njohur me ligj çdo ndihmë a këshillë, të cilat dihen se nuk u takojnë atyre vetë ose, për shkak të shërbimit të ofruar u takojnë në një shumë më të vogël, edhe kur marrëveshja ndërmjet palëve është e njohur nga ligji përkatës me kushtin që, disproporcioni ndërmjet tarifës së kërkuar me vlerën e punës apo kohën e shpenzuar për të të jetë qartësisht i dukshëm, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet si dhe dënimin plotësues të heqjes së të drejtës së ushtrimit të funksionit publik për një kohë deri në pesë vjet.
Neni 538
Konflikti i interesit nga avokati
Ofrimi ose dhënia e shërbimeve nëpërmjet këshillave dhe asistencës të dyja palëve në të njëjtën çështje ligjore nga avokatët ose personat e tjerë që ofrojnë ndihmë juridike, në lidhje me çështjet që u janë besuar në këtë cilësi, në kundërshtim me detyrën e tyre, dënohet me gjobë dhe dënimin plotësues të heqjes të së drejtës për të ushtruar profesion publike sipas parashikimeve të nenit 82 të këtij Kodi.
- Avokatet që bashkëpunojnë me palën kundërshtare në dëm të klientit të tyre, dënohen me burgim nga një deri në katër vjet.
- Ndalimet e këtij neni zbatohen edhe për avokatët apo personat e tjerë, anëtarë të së njëjtës zyre që ofrojnë ndihmë juridike, kur shërbejnë palëve kundërshtare në të njëjtën çështje.
Neni 539
Mosparaqitja në seancë gjyqësore
- Mosparaqitja e përsëritur pa shkak të justifikuar përpara gjykatës në shqyrtimin e një çështjeje penale me të pandehur të paraburgosur, duke shkaktuar zvarritje të gjykimit, e kryer me dashje për të nëpërkëmbur rëndësinë e funksionit dhe detyrës nga ana e prokurorit apo avokatit, kur gjykata ka zbatuar më parë rregullat e përcaktuar nga Kodi i Procedurës Penale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
- Kur mosparaqitja në seancë gjyqësore në cilësitë e paragrafit të parë të këtij neni, kryhet nga gjyqtari apo personeli ndihmës i tij që ndikojnë në zvarritjen e gjykimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me qortim gjyqësor ose me gjobë. /ekofin.al

