Raporti përfundimtar i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi veprimtarinë financiare të Bashkisë Elbasan pér vitin 2023 ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish që kanë sjellë një ndikim financiar të konsiderueshëm në milionë lekë të ardhura të munguara. Auditimi ka nxjerrë përgjegjës për shumicën e shkeljeve kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja dhe për të vijuar më pas me një sërë drejtuesish sipas fushave të përgjegjësisë.
Sipas gjetjeve, shkeljet përfshijnë pagesa të kryera pa dokumentacion justifikues të plotë; procedura prokurimi të paplota dhe mungesë transparence në disa tendera; mospërputhje mes volumit të punimeve të kontraktuara dhe atyre të ekzekutuara.
Nga shqyrtimi i evidencave, rezultoi se institucioni për periudhën nën auditim paraqet të meta dhe mangësi në disa prej drejtimeve të veprimtarisë. Grupi i auditimit ka konstatuar 32 gjetje dhe ka dhënë 34 rekomandime, nga ku masa organizative me 20 gjetje dhe 22 rekomandime, 4 gjetje e rekomandime në masën shpërblim dëmi në vlerën 990 mijë lekë si dhe 7 në fushën e të ardhurave në vlerën rreth 1.2 miliardë lekë.
Të ardhurat e munguara
Sipas të dhënave nga veprimtaria janë identifikuar të ardhura të munguara nga taksës së ndikimit në infrastrukturë nga legalizimet në vlerën 17,221,950 lekë, ndërsa për vitin 2023 është në vlerën 1,531,231 lekë; detyrime nga familjet për taksat dhe tarifat e tokës, ndërtesës, pastrimit, ndriçimit, etj., në vlerën 332,088,240 lekë, ndërsa për vitin 2023 është në vlerën 36,333,854 lekë; detyrime të paarkëtuara nga bizneset debitore, në vlerën 809,759,782 lekë, ndërsa për vitin 2023 është në vlerën 77,231,759 lekë; të ardhura të munguara nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e hidrokarbureve në vlerën 2,111,244 lekë për vitin 2023;
Për veprimet dhe mosveprimet e mësipërme KLSH ka ngarkuar me përgjegjësi fillimisht Kryetarin e Bashkisë Elbasan; më tej Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit të të Ardhurave, Aseteve, Buxhetit dhe Financës; Drejtorin e Drejtorisë së Taksave, Tarifave Vendore dhe një sërë zyrtarësh të tjerë.
Dëme në buxhetin e shtetit nga zbatimi i kontratave për punë publike
Sipas raportit u audituan 4 dosje/objekte të prokuruar në vlerën totale të kontratave 305,608,024 lekë me Tvsh, mbi zbatimin e kontratave për punë publike nga i cili rezultoi se për objektin: “Rikonstruksion, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri (e mesme e bashkuar)” dëm ekonomik për shkak të punime të pakryera në vlerën 364,495 lekë pa TVSH.
Për objektin: “Rikonstruksion i rrugëve në lagjen “11 Nëntori”, rezultuan diferenca në volume apo punime të llogaritura jo në përputhje me projektin e zbatuar me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të njësisë vendore në vlerën 156,075 lekë pa TVSH.
Po për të njëjtën arsye, për objektin: “Ndërtim i linjës KUZ-së në lagjen 5 Maji (rruga “Arif Dardha” dhe rruga “Xhaferr Belegu”, dëmi ekonomik rezulton në vlerën 232,307 lekë pa TVSH, ndërsa për objektin “Ndërtim rrjeti KUZ në zonat informale”, dëmi llogaritet në në vlerën 237,564 lekë pa TVSH. Në total dëmi nga zbatimi i këtyre kontratave llogaritet 990, 441 lekë.
Mungesa e procedurave për inventarizimin dhe regjistrimin e aseteve
Sipas raportit, në Bashkinë Elbasan nuk janë kryer procedurat për inventarizimin e të gjitha aktiveve afatgjata jomateriale dhe materiale të investuara në vite, konkretisht, për llogaritë 210 “Toka, troje, terrene” në vlerën 468,479,646 lekë; llogarinë 211 “Pyje, kullota, plantacione” në vlerën 43,084,021 lekë, llogarinë 212 “Ndërtime, konstruksione” në vlerën 930,282,117 lekë; llogarinë 213 “Rrugë rrjete vepra ujore” në vlerën 2,525,035,291 lekë. Në llogarinë 468 “Debitorë të ndryshëm” nuk janë përfshirë gjendja e debitorëve për taksa dhe tarifa në vlerën 17,221,950 lekë. /ekofin.al

