Fintech-u suedez Klarna — i njohur kryesisht për shërbimet e tij popullore “blej tani, paguaj më vonë” — ka hedhur në treg kartën e vet të debitit Visa, ndërsa synon të zgjerojë aktivitetin përtej produkteve të kreditit afatshkurtër.
Kompania njoftoi se po teston produktin, të quajtur Klarna Card, me një grup klientësh në SHBA përpara se ta shpërndajë në të gjithë vendin. Klarna shtoi se karta do të nisë gjithashtu së shpejti përdorimin në Evropë.
Ky hap tregon përpjekjen e vazhdueshme të Klarnës, në prag të një oferte fillestare publike (IPO) shumë të pritur, për të ndryshuar imazhin e saj nga simbol i trendit “blej tani, paguaj më vonë” (BNPL) drejt një aktori më të gjerë në fushën bankare. Produktet BNPL janë hua pa interes që u mundësojnë klientëve të paguajnë vlerën e plotë të një produkti me këste mujore.
“Ne duam që amerikanët të na lidhin jo vetëm me ‘blej tani, paguaj më vonë’, por edhe me një përvojë të tipit portofol PayPal që ofrojmë, si dhe me ofertën tonë të tipit ‘neobank’,” tha CEO i Klarnës, Sebastian Siemiatkowski, për CNBC. “Në një masë të madhe, ne jemi në thelb një neobank, por njerëzit ende na shohin kryesisht si ‘blej tani, paguaj më vonë’.”
Karta e re e Klarnës shoqërohet me një llogari që mund të mbajë depozita të siguruara nga Federal Insurance Deposit Corporation (FDIC) dhe të mundësojë tërheqje, ngjashëm me llogaritë rrjedhëse që ofrojnë bankat tradicionale.
Veçanërisht, Klarna Card funksionon me Visa Flexible Credential, një shërbim nga rrjeti amerikan i kartave që lejon përdoruesit të kenë qasje në disa burime financimi — si debit, kredit dhe BNPL — përmes një karte të vetme. Si parazgjedhje është kartë debiti, por përdoruesit mund të zgjedhin edhe një nga opsionet “paguaj më vonë” të Klarnës, përfshirë “Paguaj me 4 këste” dhe “Paguaj për 30 ditë”.
Klarna po hyn më thellë në tregun shumë konkurrues të bankave për konsumatorë. Industria bankare e SHBA-së dominohet nga gjigantë si JPMorgan Chase & Co dhe Bank of America, ndërsa sfidues fintech si Chime kanë tërhequr gjithashtu miliona klientë.
Edhe pse Klarna ka licencë të plotë bankare në Bashkimin Evropian, nuk ka licencë të saj bankare në SHBA. Megjithatë, kompania thotë se mund të ofrojë llogari të siguruara nga FDIC përmes një partneriteti me WebBank, një institucion i vogël financiar me bazë në Salt Lake City, Utah./Përshtati nga CNBC, ekofin.al

