Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar këtë të mërkurë mbledhjen e parë për vitin 2026, pas një periudhe dy mujore bllokimi për shkak të mungesës së kuorumit. Mbledhjet e planifikuara për muajt janar dhe shkurt nuk u realizuan, pasi institucioni funksiononte me një numër të pamjaftueshëm anëtarësh, duke pamundësuar marrjen e vendimeve në organin më të lartë vendimmarrës të bankës qendrore.
Zhbllokimi i situatës erdhi pas plotësimit të pjesës më të madhe të vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës, me emërimin e katër anëtarëve të rinj nga Kuvendi. Me këtë përbërje të re, Këshilli ka mundur të zhvillojë mbledhjen e parë të vitit dhe të rikthejë funksionimin normal të procesit vendimmarrës në Bankën e Shqipërisë.
Në mbledhjen e datës 4 mars 2026, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, një dokument i rëndësishëm që përmbush detyrimin ligjor të institucionit për llogaridhënie ndaj Kuvendit dhe informim të publikut mbi veprimtarinë e tij. Raporti pasqyron zhvillimet kryesore makroekonomike në vend, politikën monetare dhe valutore të ndjekur nga banka qendrore, zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale për stabilitetin financiar, si dhe aktivitetin mbikëqyrës, rregullator dhe operacional të institucionit. 
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës miratoi edhe përdorimin e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 dhe u njoh me informacione të tjera që lidhen me veprimtarinë funksionale dhe operacionale të përditshme të institucionit.
Megjithatë, përbërja e Këshillit Mbikëqyrës ende nuk është plotësuar plotësisht. Dy vende mbeten ende vakante dhe pritet që Kuvendi të vijojë procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj, në mënyrë që organi drejtues i bankës qendrore të funksionojë me përbërje të plotë.
Një tjetër çështje e rëndësishme që mbetet për t’u zgjidhur është edhe emërimi i zv.guvernatorit të parë të Bankës së Shqipërisë, një pozicion kyç në strukturën drejtuese të institucionit. Plotësimi i këtij posti dhe i dy vendeve të mbetura në Këshillin Mbikëqyrës pritet të konsolidojë më tej qeverisjen institucionale të bankës qendrore dhe funksionimin e plotë të mekanizmave vendimmarrës në një periudhë kur stabiliteti financiar dhe zhvillimet ekonomike kërkojnë një rol aktiv të politikës monetare. /ekofin.al

