Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dha sot miratimin paraprak për licencimin e degës së bankës së huaj “Türkiye Cumhuriyeti Ziraat BankasıA.Ş.”, që do të veprojë në vendin tonë me emrin “Dega e Banka Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”, e njohur shkurt si Banka Ziraat.
Kjo bankë, e themeluar në vitin 1863 dhe me një histori të gjatësi një prej institucioneve më të mëdha financiare në Turqi, paraqiti kërkesën për hapjen e degës në Shqipëri në dhjetor të vitit 2024. Me kapital shtetëror dhe nën pronësinë e Fondit Turk të Pasurisë, Ziraat Bank është një nga aktorët më të rëndësishëmnë sistemin bankar turk dhe ndërkombëtar, duke operuar në 19 shtete përmes rrjetit të saj të gjerë të degëve dhe filialeve bankare.
Grupi Ziraat zoteron filiale bankare në Gjermani, Bosnje, Mal të Zi, Azerbajxhan, Rusi, Kazakistan, Uzbekistan, Turkmenistan, Gjeorgji. Banka është e pranishme me degët e saj edhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Kosovë, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Egjipt. Grupi Ziraat, ne Republikën e Turqisë përveç bankës zotëron dhe 8 shoqëri të tjera financiare kryesisht në fushën e fintech dhe fonde investimesh, IT, etj.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe në përputhje me ligjin shqiptar për bankat dhe rregulloret përkatëse, Banka e Shqipërisë konkludoi se Ziraat Bank përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe financiare për të ushtruar aktivitetin e saj në Shqipëri. Banka ka një reputacion pozitiv në tregjet ndërkombëtare, veprimtari të ligjshme dhe të mbikëqyrur, si dhe kapacitete financiare të mjaftueshme për të mbështetur degën e saj të re.
Dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve nga data e këtij vendimi, duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.
Në tregun shqiptar, Ziraat Bank parashikon të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh bankare, përfshirë kredi, depozita dhe shërbime digjitale, me fokus në sektorët kyç të ekonomisë si prodhimi, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet. Klientela e synuar do të përfshijë kompani turke dhe shqiptare që operojnë në Shqipëri, biznese me lidhje tregtare me Turqinë, si dhe subjekte ndërkombëtare që kanë marrëdhënie me grupin financiar Ziraat.
Parashikimet janë që në tre vitet e para të aktivitetit, dega në Shqipëri të arrijë aktive në vlerën e rreth 160 milionë eurove dhe të zotërojë një pjesë tregu prej 1 deri në 2 për qind. Banka do të investojë në teknologji moderne për të lehtësuar qasjen e klientëve në shërbimet e saj përmes aplikacioneve digjitale dhe bankomatëve.
Hapja e kësaj dege shihet si një zhvillim pozitiv për sistemin financiar shqiptar, pasi prania e një banke të tillë ndërkombëtare jo vetëm që do të forcojë konkurrencën dhe do të sjellë më shumë mundësi financimi për bizneset, por gjithashtu pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit të investitorëve të huaj dhe në krijimin e vendeve të reja të punës në vend. /ekofin.al

