Këshilli i Ministrave ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kandidaturën e znj. Olta Rushaj si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si emrin e tretë të propozuar për këtë institucion kyç të politikës monetare dhe stabilitetit financiar në vend. Vendimi i qeverisë i kalon për shqyrtim dhe miratim Kuvendit.
Propozimi i znj. Rushaj vjen pas dy kandidaturave të mëparshme të depozituara në Kuvend: ish-ministrit të Financave, Ervin Mete, dhe bankieres Jonida Prifti. Me këtë lëvizje, qeveria po avancon procesin për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës, organi më i lartë vendimmarrës i Bankës së Shqipërisë.
Sipas profilit profesional, znj. Rushaj vjen nga një eksperiencë në mbikëqyrjen bankare pranë Bankës së Shqipërisë, për më shumë se një dekadë. Ajo ka mbi 14 vite përvojë në mbikëqyrjen rregullatore, vlerësimet ICAAP/SREP dhe qeverisjen e riskut, duke qenë e përfshirë në hartimin dhe ndjekjen e rekomandimeve për bankat tregtare, si dhe në përafrimin e praktikave me standardet e Bashkimit Evropian.
Emërimi i saj shihet si një profil teknik dhe institucional, në një kohë kur Banka e Shqipërisë është përballë sfidave të rëndësishme që lidhen me forcimin e mbikëqyrjes, menaxhimin e rreziqeve dhe procesin e përafrimit me acquis të BE-së, në kuadër edhe të vlerësimeve ndërkombëtare si FSAP.
Ndërkohë, për plotësimin e plotë të Këshillit Mbikëqyrës me 9 anëtarë, mbetet ende në vëmendje vendimmarrja e Kuvendit lidhur me kandidaturën e Matilda Shehut. Votimi për këtë të fundit ishte përfshirë më herët në rendin e ditës të një seance plenare, por u shty, duke e lënë procesin të hapur.
Në këtë kontekst, fokusi tashmë zhvendoset tek Kuvendi, i cili pritet të shqyrtojë në vijimësi të gjitha kandidaturat e propozuara, në mënyrë që të garantohet funksionimi i plotë dhe efektiv i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. /ekofin.al
