Qendra e përkohshme për pacientët psikiatrikë forensikë në Shënkoll po funksionon me më shumë se dyfishin e kapacitetit, ndërsa Këshilli i Evropës vlerëson se kushtet për shumicën dërrmuese të pacientëve meshkuj mund të kenë arritur nivelin e trajtimit çnjerëzor dhe degradues. Në janar 2026, në strukturë ndodheshin 469 pacientë për një kapacitet zyrtar prej vetëm 200 shtretërish, duke e çuar nivelin e zënies në 235%. Numri i pacientëve ishte rritur me mbi 15% në më pak se tre vjet.
Gjetjet janë pjesë e raportit të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor apo Degradues, CPT, të publikuar më 17 shtator 2026, pas vizitës së kryer në Shqipëri nga 26 janari deri më 2 shkurt.
Mbipopullimi ka tkurrur ndjeshëm hapësirën në dispozicion të pacientëve. CPT konstatoi se në shumicën e dhomave secili pacient kishte vetëm 2 deri në 3.5 metra katrorë hapësirë. Në një prej dhomave në katin përdhes, 12 pacientë ndanin rreth 28 m², që, pa përfshirë aneksin sanitar, përkthehej në vetëm 2.1 m² për person. Pacientët detyroheshin të hanin mbi krevate dhe të mbanin sendet personale në kuti ose qese plastike poshtë tyre. Raporti evidenton gjithashtu mure me lagështirë dhe myk dhe dushe që nuk funksiononin.
Problemit të hapësirës i shtohet mungesa e stafit të specializuar. Për 469 pacientë punonin vetëm tre psikiatër, numër që CPT e cilëson “shumë të pamjaftueshëm”. Edhe gjashtë psikiatrit që parashikohen në organikën e institucionit nuk do të ishin të mjaftueshëm, sipas Komitetit. Drejtori i strukturës i kishte kërkuar Drejtorisë së Burgjeve edhe 13 infermierë, 20 kujdestarë, pesë punonjës socialë, pesë psikologë dhe 134 punonjës sigurie shtesë.
Mungesa e stafit reflektohet drejtpërdrejt edhe te trajtimi. Për shumicën e pacientëve, kujdesi vazhdonte të përbëhej kryesisht nga farmakoterapia, ndërsa nuk kishte plane të plota dhe të integruara individuale të trajtimit. CPT gjeti në dosjet mjekësore intervale deri në katër muaj pa shënime, ndërsa tre psikiatrit punonin sipas urgjencës dhe jo me një grup të përcaktuar pacientësh.
Çuditërisht, ndryshe nga sa ishte konstatuar më parë, dritat qëndronin të ndezura në qeli gjatë natës, një praktikë që është hequr në burgjet shqiptare. Sipas provave shkencore, drita artificiale gjatë natës mund të prishë ritmin cirkadian dhe gjumin. Në mjediset psikiatrike, kjo mund të përkeqësojë simptomat e shëndetit mendor dhe të pengojë procesin e rikuperimit, thekson raporti.
Situata ka bërë që CPT të aktivizojë procedurën sipas nenit 10, paragrafi 2 të Konventës. Kjo procedurë mund të përfundojë me një deklaratë publike nëse autoritetet shqiptare nuk tregojnë përpjekje konkrete dhe të qëndrueshme për përmirësimin e trajtimit dhe kushteve. Komiteti thekson se për shumicën dërrmuese të pacientëve meshkuj kushtet mund të përbëjnë tashmë trajtim çnjerëzor dhe degradues, veçanërisht për ata që qëndrojnë në dhoma me më pak se 4 m² për person dhe për pacientët me aftësi të kufizuara./ekofin.al

