Ecuria shumë e mirë e sektorit të turizmit dhe ndërtimit ka shtuar ndjeshëm kërkesën për punonjës krahu. Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, platformë në të cilën publikohen një pjesë e vendeve të punës nga bizneset, rezulton të jenë 1638 shpallje të bizneseve të cilët kërkojnë punonjës.
Ajo që vihet re është se gama e kërkesës është e gjithanshme sa i takon formimit, por aktualisht dominon urgjenca për të mbushur vakancat që kanë bizneset për punonjës krahu, pa pasur nevojë që të kenë një diplomë.
Ndër profesionet apo zanatet që kërkohen janë marangozë, sanitarë, kuzhinierë, recepsionistë, banakierë, roje sigurimi, punëtorë ambalazhimi, makinistë, kamerierë, rrobaqepës, punëtorë krahu në ndërtim godinash, saldator, betonues, punonjës duro-alumini, elektricistë, punues mermeri, mekanikë, shoferë, shitës, fermerë, lavazhierë, etj.
Një ndër problematikat kryesore që po hasin aktualisht bizneset shqiptare në vend është mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të të rinjve drejt tregjeve evropiane të punës. Kjo ka sjellë rritje të presionit për paga më të larta, ku tashmë edhe ato që cilësohen si “punë krahu” paguhen mes 1500-2000 euro. Ekofin.al
