Këshilli i Ministrave miratoi kushtet e negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm.
Sipas vendimit, “KAYO”, sh.a. do të negociojë me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, ku shoqëria shtetërore nuk do të pranojë një pjesëmarrje më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve; punësimin e jo më pak se 80 (tetëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve; ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë si dhe sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 30% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO” sh.a.
Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat për të drejtën e vetos që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Sipas vendimit autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me municione nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.

