Katër kandidatët e vetëofruar për postin e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës paraqitën sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e institucionit në pesë vitet e ardhshme. Dëgjesa parlamentare vjen në kuadër të procedurës për plotësimin e vendit vakant në Komisionin e Konkurrencës, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual, Denar Biba.
Autoriteti i Konkurrencës është një institucion i pavarur që i raporton Kuvendit dhe ka rol kyç në garantimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Pas dëgjesave parlamentare, kandidatët duhet të sigurojnë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të kaluar në votim në seancë plenare.
Sipas burimeve të Ekofin.al, të katër kandidatët prezantuan qasjen e tyre për forcimin e mbikëqyrjes së tregjeve dhe përmirësimin e funksionimit të institucionit, ndërsa gara pritet të përmbyllet në javët në vijim me votimin në Kuvend.
Denar Biba
Kreu aktual i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, i cili kandidon për një mandat të dytë, paraqiti gjatë dëgjesës disa nga arritjet që sipas tij janë realizuar gjatë drejtimit të institucionit. Ai theksoi përmirësimin e proceseve të hetimit në tregje të ndryshme, rritjen e ndërhyrjeve për mbrojtjen e konkurrencës dhe forcimin e rolit institucional të Autoritetit në raport me aktorët e tregut.
Biba argumentoi se kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar për të konsoliduar më tej reformat e nisura dhe për të thelluar rolin e institucionit në mbikëqyrjen e tregjeve shqiptare.
Denar Biba është zgjedhur Kryetar i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës me vendimin nr. 87/2021 të Kuvendit të Shqipërisë. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe ka përfunduar studimet Master në “Studime të Evropës Juglindore” në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës.
Karrierën e ka nisur në Ministrinë e Drejtësisë si specialist në Drejtorinë e Organizimit Gjyqësor, ndërsa më pas ka mbajtur pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë dhe institucionet kushtetuese. Ka qenë Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese dhe këshilltar juridik i trupës së gjyqtarëve. Në vitin 2009 ka qenë stazhier në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ndërsa më pas ka shërbyer si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu ka mbajtur postin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më herët edhe atë të Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik.
Pajtim Melani
Kandidati Pajtim Melani theksoi gjatë prezantimit se, nëse do të mbështetet për të marrë drejtimin e Autoritetit të Konkurrencës, do të përdorë eksperiencën e tij në institucion për të përmirësuar proceset e punës dhe për të rritur kapacitetet e mbikëqyrjes së tregjeve.
Ai vuri theksin tek nevoja për forcimin e analizës ekonomike të tregjeve dhe rritjen e efektivitetit të ndërhyrjeve të Autoritetit për të parandaluar praktikat antikonkurruese.
Melani ka përfunduar studimet për Ekonomiks në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe zotëron gjithashtu një diplomë Master për Menaxhim Biznesi (MBA). Aktualisht mban pozicionin e këshilltarit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Në karrierën e tij ka mbajtur pozicione të ndryshme në institucione publike dhe rregullatore. Ai ka punuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe ka qenë Drejtor i Mbikëqyrjes në Autoritetin e Konkurrencës. Gjithashtu ka shërbyer si Kryetar jo-ekzekutiv i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Më herët ka punuar si këshilltar dhe zv.drejtor në Departamentin e Kontabilitetit dhe Pagesave në Bankën e Shqipërisë, si dhe këshilltar i ministrave në fushën e integrimit dhe bashkëpunimit ekonomik.
Eldian Balla

Kandidati tjetër, Dr. Eldian Balla, theksoi në prezantimin e tij rëndësinë që ka Autoriteti i Konkurrencës në garantimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në tregje. Ai nënvizoi se një funksionim efektiv i institucionit është thelbësor për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi.
Balla është lektor në Departamentin e Marketingut në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ai ka përfunduar studimet Bachelor në Agribiznes në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Master Shkencor në Marketing në Universitetin e Tiranës dhe doktoraturën në Marketing në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.
Më herët ka mbajtur pozicione drejtuese në sektorin privat, përfshirë funksionet e Sales and Marketing Manager në kompani ndërkombëtare si EHW GmbH dhe OPEL-NOSHI. Gjithashtu ka punuar si Credit Analyst në ProCredit Bank.
Ivis Nocka
Kandidatja tjetër në garë, Ivis Nocka, theksoi në dëgjesë rolin e rëndësishëm që ka Autoriteti i Konkurrencës edhe në procesin e integrimit europian të vendit. Sipas saj, garantimi i konkurrencës së ndershme dhe hapja e tregjeve janë elementë thelbësorë për afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.
Nocka ka një eksperiencë të gjatë në administratën publike dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. Aktualisht ushtron funksionin e këshilltares pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe prej vitit 2017 është gjithashtu Senior Consultant pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Në periudhën 2021-2023 ka qenë Drejtor i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Më herët ka shërbyer si Minister Counsellor në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë dhe ka mbajtur funksione koordinuese pranë Këshillit të Ministrave dhe zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Gjithashtu ka pasur eksperiencë ndërkombëtare si Planning & Liaison Officer për Evropën Juglindore në RACVIAC – Qendra për Bashkëpunim në Siguri me seli në Zagreb.
Procesi i përzgjedhjes pritet të vijojë me fazën e mbështetjes parlamentare, ku kandidatët duhet të sigurojnë të paktën 28 firma deputetësh për të kaluar për votim në seancë plenare. Burime parlamentare bëjnë me dije për Ekofin.al se, sipas të gjitha gjasave, kreu aktual Denar Biba po shkon drejt rizgjedhjes për një mandat të dytë në krye të Autoritetit të Konkurrencës. /ekofin.al



