Shqipëria mbetet një nga vendet e ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore, ndërsa forcimi i mekanizmave të mbrojtjes financiare dhe zhvillimi i tregut të sigurimeve po konsiderohen gjithnjë e më shumë si domosdoshmëri për stabilitetin ekonomik dhe fiskal të vendit.
Ky ishte fokusi i forumit ndërkombëtar “Rreziku nga Fatkeqësitë Natyrore në Shqipëri dhe Sigurimi si një zgjidhje për mbulimin e tyre”, organizuar në Tiranë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me AON Reinsurance dhe Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë.
Në hapje të aktivitetit, Adela Xhemali, Drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, theksoi rëndësinë e implementimit të praktikave më të mira evropiane në sigurime edhe në Shqipëri. Ajo u shpreh gjjthashtu se përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve, nuk lidhet vetëm me përmbushjen e detyrimeve integruese, por mbi të gjitha me garantimin e zbatueshmërisë së plotë dhe funksionale të kuadrit ligjor në praktikë.
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, Milva Ekonomi, u shpreh se Shqipëria mbetet një vend me risk të lartë jo vetëm për sa i përket tërmeteve, por edhe fatkeqësive të tjera natyrore, çka kërkon më shumë vëmendje në hartimin e strategjive për menaxhimin e riskut dhe ndërmarrjen e nismave ligjore në këtë drejtim.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se fatkeqësitë natyrore duhet të trajtohen jo vetëm si emergjenca sociale, por si kërcënime reale për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
Pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe fenomenet e përsëritura të përmbytjeve e zjarreve, tregojnë se Shqipëria ka nevojë për instrumente më të forta financiare dhe mekanizma të qëndrueshëm mbrojtjeje.
Sipas Ibrahimajt, qeveria shqiptare ka ngritur prej disa vitesh një grup teknik të drejtuar nga Ministria e Financave për hartimin e ligjit mbi menaxhimin e fatkeqësive natyrore, me fokus të veçantë tërmetet dhe përmbytjet.
Duke iu referuar vlerësimeve të Banka Botërore, rreth 86% e territorit dhe mbi 88% e popullsisë në Shqipëri janë të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore. Kostoja e tërmetit të vitit 2019 për financat publike arriti në rreth 1 miliard euro.
Ministrja ngriti gjithashtu shqetësimin për nivelin ende të ulët të sigurimit të banesave dhe bizneseve ndaj rreziqeve nga tërmetet dhe përmbytjet, duke theksuar nevojën për forcimin e kulturës së sigurimit dhe miratimin e legjislacionit për sigurimin e detyrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore.
“Nuk duhet të përqendrohemi vetëm te politikat afatshkurtra apo afatmesme. Qeveritë duhet të ndërtojnë politika afatgjata që garantojnë stabilitet ekonomik, siguri fiskale dhe qëndrueshmëri për vendin”, u shpreh Ibrahimaj.
Në forum u trajtuan gjithashtu praktikat më të mira europiane për ndërtimin e skemave të sigurimit ndaj katastrofave natyrore, përdorimi i analizave aktuariale, si dhe modelet italiane dhe rumune të mbrojtjes financiare ndaj rreziqeve natyrore. /ekofin.al

