Qytetarët që kanë nevojë të rifreskojnë dokumentacionin e pronës së tyre mund të marrin kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale përmes një aplikimi të vetëm në portalin e-Albania.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron se dy dokumentet mund të rifreskohen në çdo kohë, ndërsa procedura është e integruar në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të kryejnë aplikime të veçanta.
Kartela e pasurisë përmban informacionin kryesor juridik dhe identifikues të pronës, përfshirë të dhënat për pronarin apo bashkëpronarët, numrin e pasurisë, volumin dhe faqen, zonën kadastrale, si dhe informacione të tjera të regjistruara mbi pronën.
Ndërkohë, harta kadastrale jep informacionin grafik për pasurinë, duke treguar kufijtë, madhësinë dhe pozicionin e saj.
Për të përfituar të dy dokumentet, qytetari duhet të hyjë në portalin e-Albania dhe të zgjedhë shërbimin “Aplikim për lëshim kopje kartele të pasurisë”. Pas përzgjedhjes së këtij shërbimi, sistemi aktivizon automatikisht edhe “Aplikim për lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale”.
Më pas duhet të përzgjidhet pasuria për të cilën kërkohen dokumentet, të plotësohet formulari elektronik dhe të dërgohet aplikimi. Pagesa për shërbimin mund të kryhet online, në bankë ose në postë.
Për qytetarët që kanë nevojë t’i marrin dokumentet në një afat më të shkurtër, ekziston edhe mundësia e procedurës së përshpejtuar. Në këtë rast, gjatë aplikimit duhet të zgjidhet shërbimi që mban kodin “PP” përpara emërtimit.
Digjitalizimi dhe bashkimi i këtyre shërbimeve në një aplikim të vetëm synon të reduktojë procedurat për qytetarët që kanë nevojë për dokumentacion të përditësuar të pronës, qoftë për transaksione, procedura administrative apo nevoja të tjera ligjore. /ekofin.al
