Qeveria ka miratuar sot përcaktimin e standardeve të planit të sigurisë dhe elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe rregullat e tranpsortit të bimës dhe produkteve të saj që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.
Subjekti i licencuar duhet të plotësojë standardet e një ambienti të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, prej të paktën 1280 x 720, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së, thuhet në vendim.
Gjithashtu janë miratuar edhe rregullat për personat që do të paraqesin kërkesat për licencat e kultivimit të kanabisit. Kultivimi bëhet në ambiente të hapura, sipërfaqe toke, të mbrojtura, sera apo tunele plastike dhe të mbyllura, ambiente të izoluara me ndriçim artificial. Kurse ruajtja bëhet nga Policia Private apo edhe ajo shtetërore “Illyrian Guard”, 24 orë pa ndërprerje që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;
Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba; Ndërsa për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm.
Po kështu, transporti i bimës nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të kryhet me mjete të mbyllura, që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit, të pajisura me GPS dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet. Gjithashtu, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit.
Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit.
Në çdo rast, për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara të bimës së cannabis-it dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.
Procedurat doganore të eksportimit mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të daljes nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë dhe mbrojtjen. Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Pritet të bëhen publike në Fletoren Zyrtare tarifat për shërbimet e sigurisë që u ofrohen subjekteve të licencuara për kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime mjekësore. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./ekofin.al
