Fondet që akordohen për ujësjellësit do t’i nënshtrohen një analize të detajuar dhe do të kalojnë përmes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime (AKUK). Vetëm ato ndërmarrje që realizojnë të paktën 50% të objektivave do të kenë mundësi të përfitojnë mbështetje financiare.
Në udhëzimin “Për miratimin e metodologjisë, kritereve dhe procedurat, për vlerësimin dhe prioritizimin e fondeve buxhetore të investimeve publike, për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës kanalizimeve” të botuar në Fletoren Zyrtare dhe që nis të zbatohet nga 1 janari 2025 parashikohet se AKUK-ja përllogarit ndarjen e fondeve për një periudhë 3 vjeçare duke prioritizuar zhvillimin e politikave bazuar në Strategjinë Kombëtare dhe Buxhetin Afatmesëm të njoftuar nga Ministria e Financave.
Aplikimet e ujësjellësave duhet të dorëzohen gjatë periudhës së dorëzimit të aplikimeve, e cila zgjat çdo vit, nga 1 mars deri më 30 qershor – periudha e parë. Dhe nga 1 tetori deri më 30 nëntor – periudha e dytë. Përpara secilit cikël të aplikimeve, në janar dhe në shtator të çdo viti, u bëhet me dije ofruesve të shërbimeve në sektorin ujësjellës kanalizime vlerën e fondeve të disponueshme për secilën politikë.
Projektet që synojnë në reduktimin e ujit pa të ardhura vlerësohen të pranueshme për përfitimin e fondeve nëse lidhen me përmirësimet e Infrastrukturës që synojnë përmirësimin e vazhdimësisë së furnizimit me ujë me fokus të veçantë në zonat urbane, zonat turistike dhe/ose zonat bregdetare, dhe përfshijnë investime në, të paktën, një nga zërat e mëposhtëm: a) reduktimi i humbjeve në linjat e transmetimit ose shpërndarjes; b) reduktimi i humbjeve dhe tejmbushjeve në rezervuarë (depot e ujit); c) reduktimi I humbjeve në rrjetin shpërndarës; d) vendosja e matësve etj.
