Java Kulturore Franceze, vjen me një program të kuruar të muzikës, kulturës dhe spektaklit. Në kalendarin kulturor, nga data 19 deri në datën 28 qershor janë programuar aktivitete të ndryshme jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera të vendit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përmes një postimi në rrjetet sociale ftoi qytetarët të shfletojnë programin e Javës Kulturore Franceze për më shumë informacion.
Kalendari i këtyre eventeve nis me projeksionin e filmit shqiptaro-francez të Liri Begesë, “Larg barbarëve”. Ky aktivitet do të realizohet në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. “Larg barbareve”është një film i vitit 1994, i vlerësuar nga kritika evropiane dhe është produksion i përbashkët Francë, Itali, Belgjikë . Filmi do të shfaqet në “Kinema Millennium” në Tiranë.
Njëkohësisht me shfaqjen e filmit në Tiranë, një koncert për violinë do të zhvillohet në Shkodër, nga Aurelien Zielinski dhe Anna Gockel.
