Iutecredit Albania ka konsoliduar edhe më tej pozitat e saj brenda grupit financiar Iutecredit Europe, duke kontribuar gjithashtu edhe në rritjen pozitive të treguesve gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2022. Bazuar në rezultatet e paaudituara të bëra publike nga grupi financiar për 3-mujorin e parë të këtij viti, vihet re ndër të tjera se Shqipëria e ka kaluar Moldavinë, si tregu më i madh i grupit financiar, si në terma të portofolit të kredive të dhëna për konsumatorët, ashtu edhe sa i përket të ardhurave të gjeneruara për kompaninë mëmë, Iutecredit Europe. Ndikime ka patur konflikti Rusi-Ukrainë, por edhe rritja e kërkesës për kredi të vogla në Shqipëri, e shfrytëzuar në këtë rast nga institucionet e mikrofinancës.
Iute në Shqipëri ka një portofol kredish prej 43.6 milionë euro në fund të marsit 2022, duke zotëruar kështu 28.1% të portofolit total të kredive të gjithë grupit, në vend të dytë, pas Energbank, që zotëron 30.2% të portofolit të kredive, edhe për shkak të rolit të saj të mëparshëm si bankë operuese në tregun financiar të Moldavisë.
Për tre muajt e parë të vitit, Iutecredit Albania ka procesuar 40.805 aplikime për kredi, nga të cilat ka miratuar 29.476, me një normë aprovimi prej 72.2%, ndër më të lartat krahasuar me tregjet e tjera europiane ku operon grupi financiar. Gjithashtu, 16.959 kredi janë mbyllur nëpërmjet pagesave të plota nga klientët. Shqipëria ka gjithashtu normën më të lartë në indeksin e performancës së klientit, sa i përket pagesave të bëra prej tij, në masën 92.7%.
Në kuadrin e përgjithshëm, asetet totale të grupit u rritën me 78.8% në fund të marsit 2022, duke arritur në rreth 298 milionë euro, kryesisht për shkak të blerjes së bankës moldave Enerbank. Edhe numri i përgjithshëm i klientëve të grupit është rritur me 23.7%, duke arritur në 850 mijë në të gjitha vendet ku iute operon (Shqipëri, Moldavi, Bullgari, Maqedoni, Bosnje). Rritje ka shënuar gjithashtu edhe numri i kredive të reja të dhëna nga grupi, si edhe një sërë treguesish të tjerë.
Ekonfin.al