Më 1 prill 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi emërimin e znj. Holta Zaçaj në postin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë.
Më herët ajo ishte votuar nga Kuvendi si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të BSh.
Holta Zaçaj ka një përvojë të gjerë profesionale prej më shumë se 25 vitesh, e ndërtuar mbi angazhimin e saj si juriste, avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut. Ajo e ka nisur karrierën në vitet 1999–2001 në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, në projektin për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë. Më pas ka vijuar si avokate, duke kontribuar në programe të ndihmës ligjore falas për të miturit, qytetarët dhe refugjatët. Krahas angazhimit në shoqërinë civile, ajo ka ushtruar profesionin në studion ligjore “Delegibus”, ndërsa nga viti 2018 ka praktikuar avokatinë edhe në Massachusetts, SHBA, pranë zyrave “Ligris and Associates” dhe “Zaçaj Law”.
Në periudhën 2009–2013 ka qenë lektore në Shkollën e Magistraturës në fushën e së drejtës familjare dhe të drejtave të fëmijëve, si edhe pedagoge e së drejtës bankare dhe financiare në universitete private gjatë viteve 2009–2014. Kontributet e saj si eksperte ligjore përfshijnë projekte të UNICEF-it në Shqipëri, Kosovë dhe Gjeorgji, si dhe bashkëpunime me Këshillin e Evropës, Bankën Botërore dhe FMN-në.
Gjatë viteve 2013–2018 ka mbajtur detyrën e Drejtores së Departamentit të Shërbimeve Ligjore në Alpha Bank. Më pas, nga janari 2023 deri në nëntor 2025, ka ushtruar funksionin e anëtares dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

