Bashkia Tiranë ka hapur procedurat e tenderit për të kthyer në zonë pedonale disa nga rrugët kryesore të Ish-bllokut. Fondi limit për të realizuar ndërhyrjet është 246 milionë lekë ose 2.5 milionë euro.
Është publikuar gjithashtu me dokumentet e te derit studim-projektimi për ndërhyrjen që do të bëjë Bashkia e Tiranës për të kthyer zonën e ish-bllokut në pedonale. Kjo është një ndër zonat më të frekuentuara të kryeqytetit dhe aksesohet nga rruga “Ismail Qemali”, e cila lidhet me Bulevardin kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit”, në anën lindore. Në anën veriore, lidhja bëhet me Bulevardin “Bajram Curri” përmes rrugëve “Ibrahim Rugova”, “Vaso Pasha” dhe “Sami Frashëri”, si dhe me rrugët dytësore, paralel me rrugën “Ismail Qemali”, të cilat janë: rruga “Brigada e VIII”, “Pjetër Bogdani” dhe “Nikolla Tupe”.
Rrugët për ndërhyrje janë: Rruga “Ismail Qemali”, “Pjetër Bogdani”, “Brigada VIII”, “Vaso Pasha” dhe “Sami Frashëri” vetëm në pikat e kryqëzimeve që lidhen me rrugët e lartpërmendura.
‘Walk 21’ Rikualifikimi i rrugëve të Bllokut
Projektimi i rrugëve të Bllokut bazohet në trashëgiminë e ‘Walk 21’, ku projekti i OKB-së habitat për hapësirat publike ka zbuluar se vendet e suksesshme kanë katër cilësi kryesore:
- Janë të aksesueshme,
- Njerëzit janë të angazhuar në aktivitete,
- Hapësira është e rehatshme dhe ka një imazh të mirë,
- Është një vend i shoqërueshëm, ku njerëzit takohen me njëri-tjetrin dhe sjellin të tjerë kur vijnë për të vizituar.
Projekti për rikualifikimin e rrugëve të Bllokut synon të arrijë po këto cilësi të lartpërmendura, të cilat do të shërbejnë për qytetarët e Tiranës duke ndryshuar në mënyrë efektive hierarkinë tradicionale të përparësisë së automjeteve, duke i dhënë përparësi këmbësorëve.
Kjo do të arrihet duke ndjekur karakteristikat kryesore të dizajnit që kontribuojnë në krijimin e “rrugëve” dhe hapësirave të përbashkëta për jetesë:
- Materialet dhe trajtimi i sipërfaqeve do të përcaktojnë prioritetin për këmbësorët dhe biçiklistët,
- Ngushtimi i lokalizuar i rrugëve dhe zvogëlimi i gjerësive do të sigurojnë kufizimin e parkimit të pakontrolluar,
- Trotuaret në të dyja anët e rrugës, me mbjellje dhe pemë rruge të rregullta,
- Kryqëzimet me nivel të ngritur do të mbështesin një ambient me shpejtësi të ulët për automjetet,
- Rrugët do të jenë multifunksionale.
Duke u bazuar në këto cilësi, ndërhyrjet në çdo rrugë janë:
- Ngushtimi i rrugës për automjete në 3.25 m,
- Eliminimi i parkimeve anësore,
- Zgjerimi i trotuareve,
- Propozimi i korsive për biçikleta,
- Propozimi i elementeve urbane që do t’i shërbejnë këmbësorëve.
Rruga ‘Ismail Qemali’
Në rrugën “Ismail Qemali”, aksi rrugor propozohet me gjerësi 3.25 m. Në njërën anë lejohet parkimi anësor, pasi kjo rrugë është aksi kryesor që lidhet me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka mjaftueshëm gjerësi dhe kjo mundëson parkimin anësor. Ndërsa në anën tjetër, parkimi eliminohet dhe propozohet korsi biçikletash, e cila do të krijojë lidhje me korsitë ekzistuese për biçikleta në Bllok, që janë në rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Sami Frashëri”. Materialet e propozuara për këto korsi janë: asfalt me pigment të kuq dhe me gurë të bardhë të shpërndarë dhe të rashinuar, përveç korsisë së biçikletave, që do të jetë vetëm asfalt me pigment të kuq, pasi gurët mund të jenë të rëshkitshëm për biçikletat.
Trotuaret zgjerohen vetëm nga 20 cm në çdo anë për të lejuar rritjen e rrenjëve të pemëve ekzistuese, të cilat aktualisht janë direkt ngjitur me bordurat e betonit. Bordurat e reja do të jenë 40 cm të gjera dhe do të bashkohen me kunetat 30 cm të gjerë, me një lartësi prej 5 cm midis tyre. Materiali i bordurave do të jetë beton i rashinuar me pigment të kuq dhe me gurë të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme. Ndërsa materiali për trotuaret do të jetë gjithashtu beton i rashinuar me pigment të kuq, por do të ndryshojë në madhësinë e gurëve. Vende-vende, do të ketë gurë të formave të ndryshme dhe më të mëdhenj, për të krijuar një shtrim më të ndryshëm.
Elementet urbane do të përfshijnë ndarës trafiku cilindrikë me diametër 30 cm, të bëra nga beton i rashinuar gri, me gurë të bardhë dhe të errët, për t’u dalluar nga ngjyra e kuqe e pjesës tjetër dhe nga makinat që do të kalojnë. Këta do të pozicionohen sipër bordurave që përshkojnë gjithë gjatësinë e rrugës dhe në ndarjen e rrugës me korsinë e biçikletave. Elementet e tjera përfshijnë ulëse të madhësive të ndryshme që do të pozicionohen në trotuare dhe do të kombinohen me njëra-tjetrën për të krijuar një “grup” ulësesh.
Materialet e ulëseve do të jenë beton i rashinuar me pigment të kuq dhe me gurë të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme. Gropat e pemëve ekzistuese dhe atyre të reja që do të propozohet të mbrohen me gize të zezë, që do të jenë në nivel me trotuarin, dhe poshtë tyre, gropat do të mbulohen me zhavorr të imët.
Rruga ‘Brigada VIII, ‘Pjeter Bogdani’, & ‘Vaso Pasha’
Në rrugët dytësore, si: rruga “Brigada VIII”, “Pjetër Bogdani”, dhe “Vaso Pasha”, aksi rrugor propozohet me gjerësi 3.25 m. Në njërën anë të rrugës propozohen disa xhepa për parkim të përkohshëm. Ndërsa, në anën tjetër, parkimi eliminohet dhe lejohet zgjerimi i trotuareve në të dyja anët.
Materialet e propozuara për këto korsi janë: asfalt me gurë të bardhë të shpërndarë dhe të rashinuar. Trotuare zgjerohen nga 130 cm (minimum i gjendjes ekzistuese) në 350 cm (maksimumi në propozimin e ri). Bordurat e reja do të jenë 40 cm të gjera dhe do të bashkohen me kunetat 30 cm të gjera, me një lartësi prej 5 cm midis tyre. Materiali i bordurave do të jetë beton i rashinuar, me gurë të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme.
Ndërsa materiali për trotuaret do të jetë i njëjtë me atë të rrugës, që është asfalt me gurë të bardhë të shpërndarë dhe të rashinuar. Ideja e shtrimit të trotuareve me të njëjtin material si rrugët është që të krijohet perceptimi i një hapësire unike, si një shesh i madh dhe i vazhdueshëm. Materialet e rrugës dhe trotuareve do të jenë të ndryshme në disa zona të veçanta, para objekteve edukative (shkolla, kopshte) dhe nëpër kryqëzime. Rruga propozohet të jetë me material beton të larë gri, për arsye që të krijohet një vibrim kur kalojnë makinat dhe ky vibrim të sinjalizojë uljen e shpejtësisë në këto zona. Ndërsa, nëpër trotuare propozohet beton i rashinuar me gurë të përmasave të ndryshme, por do të ndryshojë në madhësinë e disa gurëve. Vende-vende, do të ketë gurë të formave të ndryshme dhe më të mëdhenj, për të krijuar një shtrim më të ndryshe.
Elementet urbane do të përfshijnë ndarës trafiku cilindrikë me diametër 30 cm, të bërë nga beton i rashinuar me pigment të kuq, me gurë të bardhë dhe të errët, për t’u dalluar nga ngjyra gri e pjesës tjetër dhe nga makinat që do të kalojnë. Këto do të pozicionohen sipër bordurave që përshkojnë gjithë gjatësinë e rrugës, në të dyja anët e saj. Elementet e tjera përfshijnë ulëse të madhësive të ndryshme që do të pozicionohen në trotuare para objekteve edukative (shkolla, kopshte) dhe do të kombinohen me njëra-tjetrën për të krijuar një “grup” ulësesh. Materialet e ulëseve do të jenë beton i rashinuar gri dhe me gurë të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme.
Gropat e pemëve ekzistuese dhe atyre të reja që do të propozohet të mbrohen me gize të zezë, që do të jenë në nivel me trotuarin, dhe poshtë tyre, gropat do të mbulohen me zhavorr të imët. Para objekteve edukative (shkolla, kopshte), gjithashtu propozohen hapësira të gjelbra me pemë të mbjella, shkurre dhe bime shumëvjeçare, për të krijuar një ambient më të sigurt për fëmijët.
Kryqëzimet do të jenë me pjerrësi dhe nivel të ngritur, në mënyrë që automjetet të ngadalësohen jo vetëm nga vibrimi i materialit të propozuar, por edhe nga niveli i ngritur. Kjo do të sigurojë që, në pjesën qendrore të kryqëzimit, këmbësorët të kenë mundësi kalimi në të gjitha drejtimet e tyre. /ekofin.al




