Parlamenti iranian ka votuar për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, kanalin jetik të transportit detar, nëpër të cilin kalon rreth 20% e sasisë ditore të naftës në botë. Ky vendim, që mund të bllokojë mbi 1 miliard dollarë dërgesa ditore me naftë, pritet të shkaktojë rritje të menjëhershme të çmimeve të saj në tregjet ndërkombëtare.
Vendimi do të hyjë në fuqi pasi të marrë aprovimin përfundimtar nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit, që sipas televizionit shtetëror Press TV duhet të shpallet deri në mbrëmjen e sotme.
Sipas komandantit të Gardës Revolucionare, Email Kosari, kjo përshkallëzim i madh është një përgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së mbi objektet bërthamore të Iranit dhe “do të zbatohet sa herë të jetë e nevojshme”.
Ngushtica, që lidh Gjirin e Omanit me Gjirin Persik, është një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit global të naftës. Në pikat më të ngushta, ajo ka vetëm 20 milje gjerësi, ndërsa kanalet e kalueshme për anijet janë edhe më të ngushta – më pak se dy milje në secilën drejtim – duke i bërë ato shumë të ndjeshme ndaj sulmeve apo kërcënimeve për bllokim.
Struktura e cekët e kanalit e bën atë veçanërisht të ekspozuar ndaj vendosjes së minave nënujore, ndërsa anijet kaluese janë të pambrojtura ndaj sulmeve me raketa nga bregu, patrullimeve detare apo helikopterëve.
Irani teknikisht nuk ka të drejtë ligjore për të bllokuar trafikun detar nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe çdo përpjekje për ta ndaluar hyrjen në të do të përballet me kundërpërgjigje të ashpër. Anijet e Flotës së Pestë Amerikane, së bashku me marina të tjera perëndimore, patrullojnë zonën në çdo kohë.
Ngushtica është e kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pjesa më e madhe e naftës së eksportuar nga gjigandët rajonalë të naftës – Irani, Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet – kalon nëpër këtë rrugë të ngushtë ujore.
Azia do të jetë rajoni më i goditur nga çdo mbyllje e Ngushticës, me shtete si Kina, India, Japonia dhe Koreja e Jugut që varen në masë të madhe nga importet e naftës përmes Hormuzit. Kina, blerësi më i madh i naftës iraniane dhe një aleat kyç që më parë ka përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar sanksione ndaj Teheranit, do të ndikohej ndjeshëm nga ky vendim.
Ironikisht, kjo lëvizje do të dëmtonte edhe vetë ekonominë e Iranit, e cila është e varur nga të ardhurat e naftës. Ky nuk është rasti i parë që Irani përshkallëzon tensionet në këtë zonë strategjike.
Në prill të vitit të kaluar, Irani sekuestroi një anije kontejnerike të lidhur me Izraelin pranë Ngushticës së Hormuzit, duke e akuzuar për shkelje të rregullave detare. Po atë muaj, Irani ndaloi një tanker të destinuar për SHBA, duke pretenduar se ai kishte goditur një tjetër anije. Në maj 2022, dy tankera grekë u mbajtën për gjashtë muaj, në një akt që u konsiderua si hakmarrje ndaj sekuestrimit të naftës iraniane nga autoritetet greke dhe amerikane.
Ngjashëm me këtë, në vitet e fundit, milicia Houthi në Jemen ka arritur të ndërpresë ndjeshëm trafikun detar përmes ngushticës së Bab el-Mandeb në anën tjetër të Gadishullit Arabik, drejt Detit të Kuq. Duke përdorur raketa dhe dronë, Houthis kanë reduktuar trafikun e anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit me rreth 70% gjatë qershorit, krahasuar me nivelet mesatare të viteve 2022 dhe 2023, sipas Clarkson Research Services Ltd.
Operatorët e anijeve janë detyruar të devijojnë lundrimin rreth majës jugore të Afrikës në vend që të përdorin Kanalin e Suezit, duke rritur ndjeshëm kohën dhe koston e udhëtimit për anijet që lëvizin mes Evropës dhe Azisë./Përshtati nga New York Post, ekofin.al
