Në mbledhjen e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike, të zbardhur në faqen e AIDA-s, si sekretariati i këtij komiteti, vihet re se më shumë kërkesa janë rrëzuar sesa miratuar.
Në mbledhjen e zhvilluar në datën 7 maj 2024 është miratuar statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” për një projekt në zonën e Shëngjinit, i cili do të zhvillohet në pronë private.
Kërkesën e ka paraqitur kompania Dukagjini Group sh.p.k, që parashikon ndërtimin e një resorti, me një hotel me 5 yje, me ambjente shërbimi, ku përfshihet edhe edhe një kazino. Vlera e parashikuar e këtij investimi llogaritet në mbi 70 milionë Euro dhe numri i të punësuarve në fishën e projektit pritet të jetë 218 punonjës.
Projekti realizohet tërësisht në një sipërfaqe prej rreth 59 mijë m2, që është pronë private dhe për këtë arsye ai është miratuar nga KIS. Por në anën tjetër, për shkak të paqartësive apo problematikave në lidhje me pronësinë e tokës, nuk janë miratuar një sërë projektesh, kryesisht për resorte/hotele në Golem, në plazhin e Spillesë dhe në Bashkinë Himarë. Ekofin.al
