Shqipëria ka ngritur një kuadër të posaçëm ligjor për të tërhequr projekte madhore investimi, të cilat konsiderohen me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit. Përmes statusit “Investim Strategjik”, projektet e mëdha përfitojnë lehtësira të shumta procedurale dhe mbështetje shtetërore, duke u ndarë në dy kategori: procedurë e asistuar dhe procedurë e veçantë. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, ka përgatitur një material të veçantë për investimet strategjike, ku shpjegon procedurat dhe kriteret, si edhe fushat përkatëse ku mund të kryhen investimet për të përfituar statusin.
Cilat sektorë përfitojnë?
Ligji përcakton se statusi i investimit strategjik mund të jepet në gjashtë sektorë kyç që janë Energjetikë dhe minerarë; Transport, infrastrukturë dhe komunikime elektronike; Turizëm; Bujqësi dhe peshkim; Zona të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik;, si edhe Zona me përparësi zhvillimi.
Në varësi të sektorit, përcaktohen edhe pragjet financiare minimale që një projekt duhet të arrijë për t’u konsideruar strategjik. Për shembull, në turizëm, një investim prej 5 milionë eurosh që hap të paktën 80 vende pune përfiton statusin e asistuar, ndërsa në bujqësi dhe peshkim mjafton një vlerë prej 3 milionë eurosh dhe krijimi i të paktën 50 vendeve të reja pune. Në të gjitha rastet, projektet me vlerë 50 milionë euro e lart kalojnë automatikisht në kategorinë e investimeve strategjike.
Kush mund të aplikojë?
Për të përfituar këtë status, aplikimi mund të bëhet nga Ministria e linjës përgjegjëse për sektorin, Investitori propozues i projektit, si edhe Subjekti investues që do të zbatojë projektin.
Dokumentacioni duhet të përfshijë planin e biznesit, analizën financiare, ndikimin social dhe ekonomik të projektit, garancitë mbi kapitalin dhe aftësinë për të mbuluar të paktën 10% të investimit. Gjithashtu, investitori duhet të provojë se nuk është i përfshirë në procedura falimentimi, nuk ka probleme me detyrimet tatimore, dhe nuk është dënuar për vepra të rënda penale si korrupsion, pastrim parash apo trafikim.
Përfitimet për investitorët
Statusi i investimit strategjik sjell një sërë lehtësish për investitorët. Në rastin e procedurës së asistuar, shteti ofron procedura të përshpejtuara administrative; konsolidim të tokës; mbështetje me infrastrukturë ndihmëse; si edhe mundësinë e përdorimit të pasurive shtetërore për projektin.
Ndërsa procedura e veçantë përfshin edhe shpronësim të pasurive private për realizimin e projektit, si edhe miratimin në Kuvend të kontratave, për të rritur sigurinë juridike të marrëdhënies mes shtetit dhe investitorit.
Procesi “hap pas hapi”
Rruga drejt marrjes së statusit kalon disa faza:
1.Shprehja e interesit pranë AIDA,
2.Vlerësim paraprak nga Agjencia për potencialin strategjik,
3.Vlerësim teknik, financiar dhe ligjor nga grupi operacional (brenda 30 ditëve),
4.Vlerësim nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS),
5.Dhënia e statusit dhe nisja e zbatimit të projektit.
Një instrument për zhvillim ekonomik
Statusi i investimeve strategjike shihet si një mjet për të nxitur projektet madhore që gjenerojnë vende pune, modernizojnë infrastrukturën, sjellin teknologji të reja dhe rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Përmes këtij mekanizmi, qeveria synon të bëjë më tërheqës klimën e biznesit dhe të garantojë që projektet strategjike të kenë një trajtim të veçantë nga administrata. /ekofin.al

