Qeveria ka zgjeruar skemën e lehtësive nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për investimet në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë makineritë dhe pajisjet e importuara për kontrata me vlerë të paktën 500 milionë lekë.
Ndryshimet në vendimin për zbatimin e ligjit të TVSH-së përcaktojnë se lehtësia do të zbatohet për pajisjet që lidhen drejtpërdrejt me investimin dhe që përdoren nga, ose për llogari të, subjekteve të licencuara për prodhimin, tregtimin, kërkimin dhe zhvillimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.
Në skemë përfshihen edhe makineritë e nevojshme për prodhimin e mallrave me përdorim të dyfishtë, pra produkteve dhe teknologjive që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.
Për të përfituar nga trajtimi fiskal, investimi duhet të ketë vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë, ndërsa makineritë dhe pajisjet e importuara duhet të jenë të lidhura drejtpërdrejt me veprimtarinë e licencuar të industrisë së mbrojtjes.
Subjekti duhet t’i paraqesë autoritetit doganor një kopje të licencës së vlefshme, të lëshuar nga autoriteti shtetëror përgjegjës për industrinë e mbrojtjes.
Krahas licencës, kërkohet edhe një deklaratë që konfirmon se pajisjet e importuara do të përdoren drejtpërdrejt për veprimtarinë e licencuar.
Në rastet kur importi kryhet nga një person tjetër i tatueshëm për llogari të kompanisë së licencuar, duhet të paraqitet edhe një relacion që shpjegon marrëdhënien ndërmjet importuesit dhe subjektit përfitues të investimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të bashkëpunojë me Ministrinë e Mbrojtjes për të identifikuar dhe verifikuar kompanitë që kanë licencë të vlefshme sipas ligjit të miratuar në vitin 2024 për industrinë ushtarake.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”./ekofin.al
