Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve të huaj në disa sektorë. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave fluksi i investimeve të huaja direkte në tremujorin e dytë të këtij viti rezulton të jetë rreth 395 milionë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit ose 3,6% në terma vjetorë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Sipas raportit, vihet re se ka një qëndrueshmëri të investimeve të huaja në Shqipëri, duke sjellë gjithashtu edhe një lloj ndikimi edhe në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët evropiane në tregun vendas.
Nga analiza e të dhënave, për gjashtë muajt e parë të vitit, fluksi i investimeve të huaja direkte vlerësohet në 749 milionë euro ose 8.1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Sa i përket origjinës së investimeve, në tremujorin e dytë, Turqia renditet në vend të parë në terma fluksesh, me rreth 77 milionë euro, por gjithashtu renditet e dyta me rritjen më të lartë vjetore prej 133%.
Në radhë të dytë vijojnë ato me origjinë anonime, të klasifikuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti”. Investimet e këtyre të fundit në vendin tonë gjatë tremujorit të dytë të vitit kapin shifrën e 68 milionë eurove dhe më pas ndiqen nga Italia dhe Franca. Franca është vendi që ka regjistruar edhe rritjen më të madhe të fluksit të investimeve me gati 360% ose 35 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Të dhënat për gjashtëmujorin e parë tregojnë se investimet nga shtetet me origjinë anonime renditen të parat me rreth 148 milionë euro, pasuar nga Turqia, Italia dhe Holanda.
