Investimet e huaja direkte (IHD) në Shqipëri shënuan një tjetër rritje të rëndësishme gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, duke konfirmuar trendin pozitiv që po karakterizon ekonominë shqiptare këtë vit. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, fluksi i IHD-ve arriti në 449 milionë euro, me një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ky tremujor shënon një përshpejtim të dukshëm të investimeve, pas rritjes së moderuar të regjistruar në gjysmën e parë të vitit, duke e vendosur 2025-ën si një ndër vitet më të suksesshme historikisht për thithjen e kapitalit të huaj.
Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, totali i investimeve të huaja direkte arriti mbi 1.2miliardë euro, duke u rritur me 4.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër tregon një momentum të fortë investimesh, pavarësisht pasigurive globale dhe presioneve të jashtme në ekonomi.
Edhe pse të dhënat sektoriale për T3 2025 nuk janë ende të disponueshme, statistikat e 6-mujorit të parë japin një panoramë të qartë të orientimit të investimeve:
•253 milionë euro investime të huaja direkte në pasuri të paluajtshme,
•+40% rritje krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2024,
•33% e IHD-ve totale të gjysmës së parë (nga 24% një vit më parë).
Kjo konfirmon se sektori i real estate vazhdon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse për kapitalin e huaj, i nxitur nga kërkesa e lartë e tregut, projektet e reja të zhvillimit, investimet e huaja në segmentin premium turistik, rritja e interesit të rezidentëve të huaj për blerje prone në Shqipëri.
Në kontrast me tendencën e viteve të fundit – kur rritja e IHD-ve bazohej kryesisht te fitimet e riinvestuara nga kompanitë ekzistuese në treg – gjatë tremujorit të tretë të 2025 rritja ka ardhur kryesisht nga investimet e reja.
Ky ndryshim është veçanërisht i rëndësishëm, sepse sugjeron hyrjen e aktorëve të rinj strategjikë, tregon besim më të lartë të investitorëve të huaj në klimën e biznesit, sinjalizon zgjerimin e portofolit të investimeve përtej sektorëve tradicionalë, rrit potencialin për hapje të vendeve të reja të punës dhe rritje afatgjatë ekonomike.
Investimet e huaja po zgjerohen me burime të reja kapitali, jo vetëm përmes riinvestimeve, gjë që rrit elasticitetin e ekonomisë. Sektori i pasurive të paluajtshme konfirmohet si një nga shtyllat e ekonomisë, por mbetet për t’u parë nëse kjo prirje do të diversifikohet në energji, industri dhe teknologji gjatë T3–T4. Shqipëria mbetet konkurruese në rajon, duke thithur nivele rekord të kapitalit të huaj. Rritja mbi 10% në T3 tregon se 2025 pritet të mbyllet si një nga vitet më të forta në historikun e investimeve të huaja. /ekofin.al
